Me rritjen e tensioneve midis Libanit dhe Izraelit, palestinezët thonë se kanë mbetur në harresë
Me rritjen e tensioneve midis Libanit dhe Izraelit, palestinezët thonë se kanë mbetur në harresë
Ndërsa tensionet mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite në Libanin jugor dhe në Izraelin verior kanë arritur kulmin, palestinezët në Rripin e Gazës tani druajnë se lufta në Gaza dhe kriza e përkeqësuar humanitare mund të harrohet.
“Gaza u harrua. Çdo ditë dëgjonim se kishte shpresë për negociata, apo lajme të reja se ata po përpiqeshin të zgjidhnin çështjen e të shpërngulurve duke i kthyer banorët e Gazës në veri dhe kthimin e njerëzve të jugut në shtëpitë e tyre në Rafah, dhe njerëzit e Kan Junisit në rajonin e tyre, por ne jemi harruar plotësisht. Ne kemi një vit që vuajmë, kemi një vit që jemi të lodhur dhe askush nuk kujdeset për ne”, deklaroi Nezar Zakout, i zhvendosur nga Gaza.
“Ne kemi frikë se situata në Liban do të ndikojë tek ne, se e gjithë vëmendja do të kthehet në Liban dhe ne do të harrohemi. Shpresojmë që të gjithë njerëzit të kujdesen për ne dhe të shohin se ku jemi”, u shpreh Enas Kollab, i zhvendosur nga Gaza.
Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës një vit më parë, sulmi izraelit, përveç numrit jashtëzakonisht të lartë të viktimave dhe krizës humanitare, ka shkaktuar dëme në një nivel të paprecedentë. Sipas analizave të fotove satelitore të studiuesve amerikanë Corey Scher dhe Jamon Van Den Hoek, që nga 13 shtatori i vitit të kaluar, 58.7% e ndërtesave në enklavën palestineze prej 365 kilometrash katrorë janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht, përkatësisht 169,000 ndërtesa. Në veri, qyteti i Gazës, i cili kishte një popullsi prej 600,000 para luftës, është i shkatërruar. 73.9% e ndërtesave të qytetit janë prekur. Sipas Amnesty International, në zonën e enklavës prej 58 kilometrash katrorë në kufi me Izraelin, më shumë se 90% e ndërtesave u shkatërruan plotësisht ose u dëmtuan gjerësisht nga tetori 2023 deri në maj 2024. Spitalet janë një objektiv kryesor i ushtrisë izraelite, e cila akuzon luftëtarët e Hamasit duke i përdorur ato si baza për t’u strehuar ose për të nisur sulmet. /Alsat.mk