Më të mirët e Hollivudit u nderuan mbrëmë me çmimet më të lakmuara në industrinë e filmit, çmimet Oscar. “One Battle After Another” kryesoi me gjashtë fitore, ndërsa Jessie Buckley e “Hamnet” dhe Michael B Jordan i “Sinners” morën çmimet për aktoren dhe aktorin më të mirë.
Një nga momentet më të rëndësishme të mbrëmjes ishte fitorja e regjisorit Paul Thomas Anderson, i cili mori për herë të parë në karrierë çmimin Oscar për Regjisorin më të Mirë, pas 28 vitesh dhe 14 nominimesh. Anderson fitoi gjithashtu edhe çmimin për Skenarin më të Mirë të Adaptuar për të njëjtin film, duke shënuar një sukses të rëndësishëm në karrierën e tij.
Filmi “Two People Exchanging Saliva” apo Dy njerëz që shkëmbejnë pështymë është shpërblyer me Çmim Oscar në kategorinë e filmit të shkurtër, në ceremoninë e mbajtur në Llos Angjellos të Shteteve të Bashkuara të dielën. Aktorja dhe regjisorja me prejardhje nga Kosova, Luana Bajrami e ka pranuar çmimin bashkë me pjesën tjetër të ekipit.
Luana e luan rolin e Malaises, një gruaje të re në këtë film bardhezi, i cili është bashkëprodhim mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara. Filmi e ka në qendër intimitetin dhe konsumizmin në një version distopian të Parisit, ku prekja romantike, veçanërisht puthja, është e ndaluar dhe e dënueshme me vdekje.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscars, Akademia e Arteve në SHBA nderon yjet e kinematografisë botërore./Alsat.mk.








