Memedi: Rreth 600 shtetas të vendit të cilët ndodhen në Lindjen e Mesme pritet të kthehen brenda një jave

Memedi: Rreth 600 shtetas të vendit të cilët ndodhen në Lindjen e Mesme pritet të kthehen brenda një jave

Gazetar: Suad Bajrami

Nëpërmjet 3 fluturimeve nga Dubai dhe një nga Arabia Saudite brenda një jave pritet të evakuohet rreth 600 persona nga zonat e shteteve arabe, pas sulmeve iraniane, ku gjithsej janë paraqitur 800 shtetas. Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Abdulkadër Memedi në një deklaratë ekskluzive për Alsat thekson që nesër do të nis avioni i parë me kapacitet 150 persona, ndërsa sipas paralajmërimeve i njëjti është planifikuar të arrijë rreth orës 21 në Shkup ku të evakuuarit do t’i pres në aeroport ministri i Jashtëm Timço Mucunski. Secili fluturim ka kapacitet për rreth 150 persona.

“Ditën e diele kemi edhe aeroplanin e parë special të aranzhuar, të cilin e kemi siguruar nga “Fly Dubai” që do të bëjë kthimin e disa qytetarëve të cilët kanë shprehur dëshirë të kthehen në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Abdulkadër Memedi, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në EBA.

Fluturimi i dytë nga Dubai pritet të nis të martën, ndërsa i treti në fund të javës. Ndërkohë është organizuar edhe një fluturim nga Arabia Saudite.

“Edhe qytetarët tanë që kanë kërkuar evakuim që janë në Katar ku është numri pak më i madh edhe në Kuvajt edhe në Bahrein të gjithë në mënyrë të organizuar me korridor të organizuar humanitar me autobus do t’i transferojmë në një pikë të përbashkët të takimit në Rijad dhe prej atje me fluturim special do t’i sjellim në vendlindjen e tyre. Dhe me këtë do të rrumbullaksojmë fazën e evakuimit të të gjithë qytetarëve që gjenden në shtet e prekura për të cilat unë jam përgjegjës si ambasador”, tha Abdulkadër Memedi, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në EBA.

Gjatë ditëve të kaluara janë kthyer edhe një numër më i vogël i qytetarëve që prej ditësh kishin kërkuar evakuim nga Izraeli. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button