Gazetar: Miki Trajkovski
Pas një jave heshtje dhe duke u fshehur nga sytë e publikut dhe mediave, Ramiz Merko, të cilin Departamenti i Shtetit, e futi në listën e zezë të SHBA-ve, në faqen e tij në Facebook shkroi se ai do të bashkëpunonte me institucionet, dhe do ta jepte gjithë dokumentacionin që do t’i kërkohej.
“Pas zhvillimeve të fundit në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, nuk doja të komunikoja në favor të proceseve, për të cilat do të jem i hapur si çdoherë, për të mbështetur drejtësinë dhe çdo proces para autoriteteve gjyqësore. Në emër të institucionit, Komunës së Strugës, si dhe nga ana ime, do të dorëzoj në kohë dhe sa më shpejt të jetë e mundur çdo dokumentacion të nevojshëm, sepse gjithmonë kam qenë transparent me autoritetet e drejtësisë, dhe me të gjitha institucionet e tjera,” deklaroi Ramiz Merko, kryetar i Strugës.
Merko në një deklaratë me shkrim nuk përmend askund dorëheqjen dhe përgjegjësinë morale.
“Në interes të procesit, kam vendosur të ngrij të gjithë veprimtarinë në strukturat e partisë deri sa të mbyllen proceset e rëndësishme për të gjithë. Në fund, dua të falënderoj çdo qytetar për mbështetjen ndër vite, por edhe mbështetjen që nuk e keni kursyer këto ditë, për të cilën jam i bindur se do ta kapërcejmë së bashku, në mënyrë që të krijojmë kushte për një jetë më të mirë për struganët, dhe për Strugën që e duam. Unë gjithmonë mirëpres dhe mbështes mbështetjen e vazhdueshme amerikane për vendin tonë dhe qytetarët e Strugës”, tha Ramiz Merko, kryetar i Strugës.
Alsat edhe sot u përpoq të merrte një deklaratë personale nga Merko. Por, për herë të tretë në këto pak ditë nuk u lejuam ta bënim këtë nga rojet e sigurisë, këtë herë me qëndrimin se Merko kishte thënë atë që donte të thoshte me shkrim. Ai edhe sot ishte në vendin e tij të punës, ku ishte parkuar makina e tij luksoze Audi A 6, të cilën e bleu për 67 mijë euro, ndërsa komuna ishte zhytur në borxhe dhe kishte llogari të bllokuar. Ndërkohë, presioni publik po rritet që Merko të japë dorëheqjen, ndërsa institucionet gjyqësore janë mobilizuar që kur Shtetet e Bashkuara e shpallën Merkon person nongrata për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.
“Katër prokurorë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Shkupi, sot këtu në prokurorinë publike në Strugë, i kontrollojnë rastet, gjegjësisht i mbikëqyrin rastet që kanë të bëjnë me kryetarin aktual të komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili javën e kaluar u fut në listën e zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, së bashku me tërë familjen e tij”.
Ata gjithashtu do të mbikëqyrin rastet në Prokurorinë e Lartë Publike në Manastir, pas së cilës Komisioni do të përgatisë një raport. Komisioni i paralajmëruar nga Këshilli Gjyqësor, ende nuk është krijuar, i cili duhet të kontrollojë punën e Gjykatës Themelore në Strugë, ndërsa Kryetari i Gjykatës, Ifet Bajramoski, shkoi në pushime vjetore. Përndryshe, janë gjashtë raste aktive kundër Merkos, por asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar. Disa prej tyre janë hapur që nga viti 2015.
Në vitet e fundit, Merkon e ndjekin një seri skandalesh dhe akuzash nga kundërshtarët e tij politikë, për shpenzimin e shumave të mëdha të parave komunale, për automjet luksoz për nevojat e tij, dhe disa makina të tjera për administratën komunale, duke shpenzuar mijëra euro për dreka dhe darka në restorante. Para zgjedhjeve të fundit lokale, Aleanca për Shqiptarët akuzoi se miliona euro ishin derdhur nga buxheti i Komunës së Strugës vite me radhë, nga çifti Ramiz Merko dhe Armen Kadriu, përmes një koncesioni të dyshimtë të ndriçimit rrugor me firmën City Light, për të cilën atëherë ata bashkëngjitën llogari bankare. Për këtë, thanë, se është njoftuar edhe Prokuroria publike dhe policia financiare. /alsat.mk








