Mësimi online, ortopedët alarmojnë për pasojat

Mësimi online përpos që i vuri fëmijët para sfidës për t’u përshtatur me një mënyrë të re për nxënie të dijes, mund të shkaktojë deformim të shtyllës kurrizore, sëmundje të syve, probleme me qarkullimin e gjakut apo edhe obezitet. Ortopedi Rezeart Dalipi, apelon deri tek prindërit që t’i nxisin fëmijët të bëjnë tërheqje të ekstremiteteve çdo 30 minuta, për të evituar kështu komplikime shëndetësore, për tejkalimin e të cilave mund të nevojiten vite.

Domethënë, nga mënyra jo e drejtë e qëndrimit mund të paraqiten kifoza dhe skolioza, pasojat e të cilave shfaqen më tutje. Prandaj preferohet që fëmijët, pasi të kenë pauzën, gjatë mësimit online pas 30 minutash, 5 minuta të lëvizin dhe të bëjnë tërheqje të trupit dhe të shpinës. Nga qëndrimi i gjatë para kompjuterit, fëmijët rrezikohen edhe nga obeziteti, andaj preferohet që këta fëmijë të merren edhe  me aktivitet fizik. Zakonisht, mosha kur rriten fëmijët, kur zhvillohen dhe në qoftë se nuk kapen në kohë deformimet e shtyllës kurrizore, si është kifoza dhe skolioza, pasojat mund të jenë edhe më tej, sepse mund të paraqitet edhe spondiloartroza, diskopatiat e ndryshme”-tha Rezeart Dalipi, ortoped.

Një sfidë tjetër do të jetë risocializimi, pasi nxënësit  tashmë disa muaj kalojnë kohë në njëfarë mënyrë të izoluar në dhomë, para kompjuterit apo telefonit. Sociologu Ali Pajaziti, thotë se pas kalimit të pandemisë, fëmijët do të shfaqin vështirësi në komunikim. Ai këshillon prindërit që të  bisedojnë më shumë me fëmijët e tyre, që sadopak të zbusin këto pasoja.

Ky do të jetë një proces goxha i mundimshëm për ata, duke pasur parasysh se në mjediset familjare ata mund të kenë përjetuar edhe trauma, problemet apo zënkat në familje. Do kenë problem më mësim nxënien, sepse janë mësuar që gjithçka ta kenë të pasqyruar në display ose tek monitori. Rikthimi tek mësim nxënia “face to face” do të jetë i vështirë për ata, sepse ka kaluar një periudhë goxha e gjatë. Mësimdhënësit do ta kenë problem që t’i shtyjnë ata që të komunikojnë, sepse është krijuar një barrierë në komunikimin ballë për ballë”-pohoi Ali Pajaziti, sociolog.

Në bazë të disa studimeve sugjerohet që fëmijët nën moshën 2 vjeçare të mos kalojnë aspak kohë para ekranit. Ndërsa ata të moshës mbi dy vjeç këtë kohë e kanë të kufizuar në jo më shumë se dy orë.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button