Mësohet se sa ka fituar Interi vetëm nga Liga e Kampionëve

Interi ka qenë befasia e Ligës së Kampionëve këtë sezon, duke arritur në finalen e parë në më shumë se një dekadë, një sezon që do t’i bëjë të fitojnë mbi 100 milionë euro. “Nerazzurrët” u gjendën në një grup të vështirë në Evropë këtë sezon, duke u përballur me Bajern Munihun, Barcelonën dhe Viktoria Plzen.
Pasi siguruan vendin e dytë, skuadra e Simone Inzagit fitoi ndaj Portos në fazën e 1/8-tës përpara se të mposhtte Benficën në çerekfinale.
Në gjysmëfinale, Interi mposhti rivalët lokal, Milanin, me një fitore me rezultat të përgjithshëm 3-0, duke e çuar veten në finalen e Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me Man. Sitin, gjithmonë dominues. Megjithatë, përveçse në aspektin sportiv, Interi do të përfitoj shumë edhe në aspektin financiar pas këtij super sezoni, ku kaluan në finalen e Ligës së Kampionëve. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kualifikimi për në finalen e Ligës së Kampionëve ka çuar totalin e fitimeve të Interit nga gara në 101.1 milionë euro. 4.5 milionë euro të tjera do t’i shtoheshin kësaj shifre nëse ata mundin Man. Sitin në finale.
Duke zbërthyer 101.1 milionë euro, 57.5 milionë euro vijnë nga bonuset e bazuara në rezultate, 15.6 milionë euro shuma bazë, 12 milionë euro nga tregu i të drejtave televizive dhe 16 milionë euro nga renditja historike.