Messi dhe Alvarez dhurojnë spektakël, Argjentina në finale të Kupës së Botës

Messi dhe Alvarez dhurojnë spektakël, Argjentina në finale të Kupës së Botës

Në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Botës, Argjentina ka arritur ta mposht Kroacinë me rezultat 3-0, duke kaluar në finalen e madhe te Katar 2022.

Fillimi i pjesës së parë ishte i kontrolluar nga të dy skuadrat, me presion në mesfushë dhe pak raste.

Goditjen e parë në portë e kishte Enzo Fernandez që gjuajti nga distanca në minutën e 25-të, por goditja e tij u prit nga Dominik Livakovic.

Por loja u zhbllokua në minutën e 32-të, kur gjyqtari Daniele Orsato tregoi në pikën e bardhë, pasi portieri Livakovic ndali në mënyrë të palejuar sulmuesin Julian Alvarez.

Nga pika e bardhë ishte Lionel Messi që gjuajti bukur për të shënuar për 1-0.

Pas pesë minutash Argjentina arriti të gjejë sërish golin, pas një aksioni individual të Julian Alvarez i cili kaloi disa lojtarë, pak edhe me fat, për të mposhtur Livakovicin për 2-0.

Argjentina ka mundur ta mbyll ndeshjen në minutën e 42-të, kur Alexis Mac Allister gjuajti me kokë, por Livakovic bëri pritje të madhe.

Në pjesën e dytë Kroacia bëri disa ndryshime, duke kërkuar golin që do të hapte ndeshjen, por nuk ia arriti.

Në minutën e 58-të, Messi kishte rast të shënonte, por portieri kroat ndali gjuajtjen e tij.

Kroacia kishte rast të mirë në minutën e 58-të, kur Dejan Lovren gjuajti por Emi Marinez ishte në vend.

Ndeshja u mbyll në minutën e 69-të, kur Messi mori një top në mesin e fushës, dribloi disa herë Josko Gvardiolin, u fut në zonë dhe pasoi te Alvarez i cili ishte i vetëm për të shënuar për 3-0.

Në minutën e 83-të, Albicelestët kanë mundur të shënojnë edhe njëherë, por pasimit të Paulo Dybalas nuk iu përgjigj mirë Alexis Mac Allister, që gjuajti jashtë.

Në fund Argjentina fitoi dhe arriti në finale, ku e pret fituesin e ndeshjes Maroku- Francë.

LEXO EDHE:

Back to top button