Mësuesit: Reformat në arsim të mos jenë të përnjëhershme

Maqedonia prej kohësh ka nevojë për reforma thelbësore në arsim. Por, ato duhet të hartohen me kujdes dhe të jenë afatgjate. Kështu vlerësojnë një pjesë e mësimdhënësve. Satki Ismaili nga Tetova tha se mësimdhënësit nuk duhet të bëhen pre e politikës dhe ndryshimeve të shpeshta të udhëheqësve në arsim.

 Ne jemi mësimdhënës që jemi për praktikën, dëshirojmë që gjeneratat e reja të jenë gjenerata të cilat do të fillojnë me ndryshime, me reforma në kontinuitet por ngadalë, jo ndryshime të përnjëhershme. Nuk mundet një model i tillë finlandez të vijë te ne për një kohë të shkurtër. Unë në gjithë këtë dyshoj, se afati kohor deri në shtatorin e ardhshëm, është një kohë shumë e shkurtër, sidomos kur kemi situatën e pandemisë. Mirëpo, ne gjithmonë jemi të përgatitur për ndryshime, për sfida. Por jo sfida eksperimentale siç u dëshmua në dekadën e kaluar’ deklaroi Satki Ismaili, mësues.

Mësuesi i gjeografisë, Gani Ameti nga Shkupi vlerëson se shkrirja e disa lëndëve në një të vetme është hap i përshpejtuar sepse nisma të këtilla nuk dhanë rezultate viteve të kaluara.

Unë mendoj se para se të arrihet kjo, duhet pak të bëhet një reduktim i lëndëve të tjera që pastaj të futen inovacione të këtilla. Lënda e historisë, gjeografisë dhe Arsimi qytetar rikooperim në një lëndë, tani për tani mendoj se është pak e shpejtuar. Mos të vijmë deri te ajo që përsëri të dështon kjo dhe krejt kjo shkon në dëm të nxënësve, po bëjmë eksperimente me nxënësit. Unë kisha kërkuar që ministrja të thërret njerëz kompetent, të përgatit programe, të shohim çka mundet e çka nuk mundet që ajo të jetë me kohëzgjatje pak më të gjatë, jo për dy tre vite dhe të themi se nuk bën kjo’ pohoi Gani Ameti, mësues.

Ditë më parë, ministrja e Arsimit Carovska paralajmëroi ndryshime të mëdha në arsimin fillor. Mes tjerash, paralajmëroi më pak lëndë mësimore, më shumë hulumtime dhe analizë, lëndë zgjedhore dhe aktivitete jashtëshkollore. Gjithashtu, koncepti i ri parashikon që në lëndën Shkencat Natyrore të përfshihen lëndët: biologji, kimi, fizikë dhe gjeografi. Ndërsa në lëndën Shkencat Shoqërore të bëjnë pjesë: historia, gjeografia dhe arsimi qytetar.

 

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button