Michel: E ardhmja e fëmijëve më e sigurtë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së

Michel: E ardhmja e fëmijëve më e sigurtë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Miches mbërriti sot në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Në një prononcim për mediet Michel u shpreh se, “ky do të jetë një takim i rëndësishëm, një takim simbolik. Është hera e parë që mbajmë një samit të BE-së dhe Ballkanit këtu në një prej vendeve të rajonit”.

“Jam absolutisht i bindur që e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së dhe po punojmë sot në mënyrë që të shënojmë përparime”, tha Michel.

Michel theksoi se, “sot do të nënshkruajmë një marrëveshje për tarifat roaming dhe është një arritje konkrete në përputhje me atë çka kemi diskutuar në Brdo një vit më parë. Që do të thotë për bizneset, person me person, për turizmin. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtimin e duhur”.

Ai nënvizoi se “një tjetër element i rëndësishëm është mbështetja që duam t’i sjellim Ballkanit Perëndimor në raport me krizën energjetike dhe vështirësitë energjetike që janë pasoja të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe kjo tregon angazhimin tonë për të forcuar integrimin, për të forcuar bashkëpunimin me rajonin”.

Pra shtoi Michel, “është një moment i rëndësishëm dhe është emocionuese, sepse është hera e parë që këtu në rajon kemi këtë takim midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Kemi punuar shumë muajt e fundit për të shënuar përparime, për të përafruar, për të pasur bashkëpunim më të madh me Ballkanin Perëndimor”.

Ai përsëriti se, “ne jemi shumë të bindur se e ardhmja e Evropës dhe e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor pjesë të Evropës”.

Gjithashtu shtoi, Michel, “progresi, reformat janë të nevojshme. Gjithsecili duhet të përmbushë përgjegjësitë e veta dhe natyrisht kjo është një etapë konkrete e afrimit me rajonin dhe kjo është e rëndësishme për ne”. /ATSH

LEXO EDHE:

Back to top button