Mickoski në vizitë politiko-ekonomike në Republikën e Hungarisë
Kryeministri Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga delegacion qeveritar, sot qëndron në një vizitë politiko-ekonomike në Budapest, Hungari.
Në kuadër të vizitës, kryeministri Mickoski do të zhvillojë takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, ku do të diskutohet për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet aktuale rajonale dhe evropiane.
Më pas, kryeministri do të mbajë fjalim në forumin e biznesit në Budapest, me titull “Dita e bashkëpunimit afarist ndërmjet Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ku do të vendosen kontakte të reja dhe do të shqyrtohen mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet kompanive hungareze dhe maqedonase.
Në përbërje të delegacionit qeveritar janë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit dhe lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, ministri i ekonomisë dhe punës, Besar Durmishi, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit, Refik Xhemaili, drejtori i Drejtorisë për Zona të Zhvillimit Teknologjik Industrial, Goce Dimovski, si dhe drejtoresha e Agjencisë për Inovacion, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Sipërmarrje, Daniella Dimovska. /Alsat.mk.








