Mickoski: Pazare me identitetin nuk bëj, Filipçe e akuzon se po e çon vendin drejt izolimit europian

Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi

Në ditën e Evropës, kryeministri Hristijan Mickoski me porosi të prerë se nuk do të bëje pazare me identitetin. Gjatë shënimit solemn të 9 Majit, ai tha se vendi nuk ka të ardhme tjetër të suksesshme pos integrimit në familjen evropiane. Mickoski tha se zgjidhja duhet të arrihet përmes dialogut dhe ajo duhet të jetë përfundimtare.

“Pazar me identitetin, pazar me dinjitetin tonë, në këmbim të çfarëdo përfitimi personal ose politik, ashtu siç kanë ndodhur në historinë tonë të re, nuk do të bëj asnjëherë” – Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Në ditën kur shënohet edhe Dita e Fitores mbi Fashizmin, Mickoski theksoi se paraardhësit tanë ishin në anën e drejtë të historisë. Ndërsa tha se kishte edhe popuj që në këtë betejë ishin okupatorë.

“Populli maqedonas, krah për krah me bashkëqytetarët e tij shqiptarë, turq, romë, serbë, vllehë dhe boshnjakë, u rreshtua në anën e duhur të historisë…….Kishte edhe udhëheqës të tillë të popujve që nuk ishin të tillë. Ata ishin armiq në këtë betejë dhe shiheshin përmes tytës së armës. Dhe ata nuk ishin administratorë, por okupatorë,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Micksoki kritikoi ashpër edhe opozitën, të cilën e akuzoi se edhe pse thotë se dëshiron integrimin evropian nuk voton asnjë ligj nga agjenda e reformave. Kreu i LSDM-së Filpçe akuzoi Mickoskin se çon vendin në izolim.

“Në një event të tillë, në ditën e Evropës, Hristijan Mickoski duhet të shpallet persona non grata…..gjithçka që thotë kryeministri janë vetëm justifikime, sepse dihet se çfarë duhet të bëhet për të filluar negociatat. Duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese. Çfarë do të thotë për të bashkimi? T’i japim mbështetje që të mos i bëjë ato, vetëm që të mund të vazhdojnë të vjedhin? Jo, kjo nuk do të ndodhë, sepse do të ndodhë Evropa kur ne të vijmë në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme dhe të gjithë do të mbajnë përgjegjësi.” – Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Ambasadori i Bashkimi Evropian në Shkup, Rokas nënvizoi se vendi duhet të vazhdojë përmbushjen e reformave dhe bëjë hapin vendimtar për integrimin në BE.

“…e dimë se së bashku me ndihmën e të gjithë ju dhe përmes reformave aktuale do të arrijmë ta bëjmë hapin vendimtar që ta sjellim vendin aty ku takon, në familjen e Bashkimit Evropian” – Mihail Rokas, Ambasador i BE-së në Maqedoni. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button