Mickoski: Qeverinë e pret vjeshtë e nxehtë


Qeverinë e re e pret vjeshtë e nxehtë, paralajmëroi kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski. Sipas tij, kuadrot e pushtetit të ri janë të vjetër, të harxhuar, të komprometuar dhe me premtime të parealizuara.

Një nga betejat do të zhvillohet në Kuvend. Si VMRO-DPMNE pa kompromis do t’u kundërvihemi politikave anti-reformuese, korruptuese dhe kriminale që i pres sepse nga programi i Qeverisë nuk pash asgjë që ofron zhvillim ose ballafaqim me krizën që është para nesh. Sot kemi takim të Komitetit Ekzekutiv dhe do të fillojmë diskutimin rreth strategjisë se çfarë vjeshte na pret por besoni do të jetë vjeshtë e nxehtë për LSDM-në dhe Zoran Zaevin – tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski nuk heq dorë nga drejtimi i VMRO-DPMNE-së, edhe përskaj bujës së nismëtarëve për kongres të jashtëzakonshëm të partisë. Për këtë çështje kreu i opozitës u prononcua për herë të parë, pasi tha se e ka analizuar nismën e funksionarëve aktual dhe ish funksionarëve të VMRO-së që ditë më parë kërkuan dorëheqjen ose shkarkimin e tij.

Unë nuk e kam në plan të jap dorëheqje dhe deri sa të jem gjallë do të luftoj kundër të gjithë atyre fuqive të errëta që duan ta kthejnë përsëri partinë në margjinat e skenës politike aty prej ku e mora unë bashkë me udhëheqësinë dhe e ngritëm dhe stabilizuam në nivelin që është tani. Nuk do të lejoj që ata njerëz ta kthejnë në margjinat e njëjta duke i shërbyer Zoran Zaevit – deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski sqaroi se statuti i partisë parasheh dy mënyra se si thirret kongres i jashtëzakonshëm. E para është vetë Mickoski të kërkoj nga Komiteti Qendror thirrjen e kongresit të jashtëzakonshëm dhe e dyta është 50% e anëtarëve të kërkojnë nga Komiteti Qendror për të diskutuar për një kongres të jashtëzakonshëm. Në afat prej pesë ditësh nga kërkesa, prej cilitdo nga dy opsionet, thirret Komiteti Qendror dhe në afat prej 15 ditësh nga kërkesa, Komiteti Qendror diskuton për thirrjen eventuale të kongresit të jashtëzakonshëm. Dy e treta e anëtarëve të Komitetit Qendror sjellin vendim a do të mbahet kongres i jashtëzakonshëm ose jo. Gjithçka tjetër është në kundërshtim me ligjin për partitë politike dhe statutin e partisë, paralajmëroi kreu i VMRO-së Mickoski.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button