Mickoski shpall detajet e rikonstruimit nesër, Limani me porosi për VLEN-in, Stoilkoviq bën gati valixhet
Gazetar: Suad Bajrami
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se parimisht ka marrëveshje me partnerët e koalicionit VLEN dhe ZNAM lidhur rikonstruimin e Qeverisë, megjithatë detajet do t’i shpallë nesër pasi të mbarojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.
“Ne nuk kemi biseduar për zgjidhje personale dhe emra, parimisht kemi marrëveshje rreth resorëve. Unë në të kaluarën kam thënë se derisa nuk mbaron seanca e Komitetit Ekzekutiv të partisë, nuk do të komentoj as resorë e as emra. Pritni deri nesër afërsisht në orën 20, opinioni do të informohet në mënyrë të detajuar”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Gjatë ditës së djeshme, VLEN njoftoi se kanë arritur marrëveshje që të drejtojnë tri ministri të reja, respektivisht Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, Drejtësinë dhe Kulturën, ndërsa edhe tri të tjera që deri tani i kanë drejtuar Ekonominë, Eurointegrimet dhe Mjedisin Jetësor. Megjithatë, VLEN do të humb drejtimin e dy ministrive, ndër më të mëdhatë në ekzekutiv, Politikën Sociale dhe Shëndetësinë, por edhe pozitën e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë. Sa i përket emrave, jozyrtarisht flitet se Agon Ferati do të shkojë në ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve, Jeton Shasivari në Drejtësi e Sadat Sulejmani në Kulturë, kurse ministritë tjera do t’i udhëheqin kuadrot aktual.
Fatmir Limani, i cili do të largohet nga pozita e ministrit të Politikës Sociale, pas braktisjes së VLEN-it tha porositi që ky moment nuk është fundi i tij.
“Nuk është e rëndësishme pozicioni i Fatmir Limanit. Shumë e rëndësishme është a krijojmë hapësirë për të rinjtë. Sido që të jetë unë i shoh gjërat në afat të gjatë. Kur jam larguar prej BDI-së, dikush mendoi se vdes, unë rilinda. Edhe sot kur jemi këtu, mendon dikush se Fatmir Limani me largimin e tij do të vdesë, por ne rilindim e rilindim përsëri, me të vetmin qëllim për të krijuar kushtet për të gjithë ato të rinj që kanë sy e vesh te ne”, tha Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale.
Me të marrë informatën edhe Ivan Sotillkoviq po bën gati valixhet për t’u larguar nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve. Në një publikim në Facebook, ai lavdërohet se ka arritur t’i shkurtojë shpenzimet e panevojshme, kurse mburret se ka arritur t’i vendos fund praktikës “merr rrogë e rri në shtëpi”, duke iu referuar administratorëve të punësuar nga paraardhësi i tij Artan Grubi. Ndërkohë lavdëron Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, i cili sipas tij do të vendos rend dhe mundësi të barabarta.
Opozitari Venko Filipçe, thotë se rikonstruimi është vetëm ndryshim emrash dhe krejtësisht i parëndësishëm.
“Zëvendësimi i njerëzve në resorë, zëvendësimi i emrave të ndryshme është diçka që është e parëndësishme. Ajo është ndryshim i Kurtos me Murton dhe asgjë tjetër. Qytetarët nuk do të shohin asnjë përfitim nga kjo Qeveri të cilën e udhëheqë Hristijan Mickoski, gjithçka do të jetë status kuo, gjegjësisht cilësia e jetesës së qytetarëve do të ulet edhe në shtet”, tha sot kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. /Alsat.mk








