Migrantët zhvendosen nga kampi Lipa i Bosnjës
Njëmbëdhjetë autobusë kanë arritur të martën pranë kampit Lipa, afër Bihaqit, në veriperëndim të Bosnje e Hercegovinës, për transportimin e migrantëve në një vend të ri, konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Ministria e Brendshme e Kantonit Una-Sana.
Ministri i Sigurisë i Bosnje dhe Herzegovinës, Sellmo Cikotiq, tha se migrantët që mbetën pa strehim pas zjarrit në kampin Lipa, do të vendosen përkohësisht në vendin e një ish-strukture ushtarake në Bradina.
Më 23 dhjetor, përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) janë tërhequr nga kampi i përkohshëm i migrantëve Lipa dhe kanë ndërprerë ndihmën në këtë kamp.
Në të njëjtën ditë, një nga çadrat është përfshirë nga zjarri dhe pjesa më e madhe e kampit është shkatërruar.