Mijallkov i shpëtoi burgut, zyrtarisht u vjetërsua vepra e tij në rastin “Titanik 2”

Mijallkov i shpëtoi burgut, zyrtarisht u vjetërsua vepra e tij në rastin “Titanik 2”

Gazetar: Ardit Ramadani

10 vjet pas kryerjes së veprës penale që ka të bëje me parregullsitë zgjedhore, Sasho Mijalkov sot arriti t’i shpëtojë dënimit. Kjo për shkak të paaftësisë së gjyqësorit vendas për t’i dhënë rastit epilog brenda afatit ligjor. Por, si dështuan institucionet vendase për të vendosur prapa grilave dikë që sipas gjykatës së shkallës së parë, kishte ndikuar në tjetërsim të rezultatit zgjedhor?

Nga ngritja e aktakuzës fillestare për këtë lëndë nga ish-Prokuroria Speciale deri sot kanë kaluar 7 vite e dy muaj. Rikujtojmë që asokohe përmes një konference për shtyp prokurorja Fatime Fetai deklaroi se kishte dyshime që në vitin 2012, funksionarë të lartë të qeverisë së atëhershme, anëtarë të Komitetit të VMRO-së, ish-anëtarët e KShZ-së, anëtarë të Komisionit Zgjedhor të komunës së Çairit, gjykatës dhe noterë kishin krijuar një grup që ka pasur për qëllim të kryerje të vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votës.
Sot që flasim, edhe pas 7 vitesh – të gjithë këta të akuzuar po shijojnë lirinë.

Në këtë lëndë Mijallkov fillimisht u dënua me 3 vite burg më 8 mars të vitit 2019, dhjetë muaj më vonë, Apeli e „shpëtoi” duke e kthyer lëndën në rigjykim. Aktgjykimi i dytë u shqiptua më 23 janar të vitit 2023 me të cilën Mijallkovit iu ul dënimi në 2 vjet burg – që në fund, të shpëtojë pa mbajtur as edhe 1 ditë burg për shkak të vjetërsimit të veprës sot.

Për dallim nga të akuzuarit tjerë, Mijallkov ndiqej për “pranim të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm”, vepër kjo që dënohet deri në 5 vjet burg, që do të thotë se deri në vjetërsim absolut vjen 10 vite pas kryerjes së veprës.
Më 13 prill në Gjykatën e Apelit vazhdon gjykimi për të akuzuarit tjerë në këtë lëndë, përkatësisht Menduh Thaçin, Bedredin Ibraimin, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev. Në këtë seancë i ftuar është edhe Mijallkov, por në aspektin juridik, pjesëmarrja e tij në këtë seancë s’do të thotë asgjë fare.

Kjo nuk është lënda e vetme në të cilën vendimet gjyqësore për Mijallkov janë të diskutueshme. Në fund të vitit të kaluar, Apeli i shfuqizoi Mijallkovit aktgjykimin e shkallës së parë për “Target-Fortesa” ku u dënua me 12 vite burg. Kështu, u hap mundësia reale që ai të shpëtojë nga burgu edhe për këtë lëndë, pasi në fillim të vitit 2025 vepra i vjetërsohet ndërsa për miratimin e aktgjykimit të shkallës së parë, u deshën më shumë se tre vjet.

Pak muaj më herët, Apeli shpëtoi Mijallkovin nga dënimi prej 8 vjet burg edhe për rastin “Thesari” ndërsa në rastin “Tortura” u lirua nga akuza kurse për “Parcelat në Vodno” mori dënim me kusht. Ai aktualisht po mban dënim me burg në Strugë për rastin “Perandoria” ku vetë kishte pranuar fajin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button