Mijëra ukrainas largohen nga vendlindja, shumica janë gra dhe fëmijë
Mijëra ukrainas largohen nga vendlindja, shumica janë gra dhe fëmijë
Gazetare: Evi Shkopi
Shumë ukrainas vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre, ndërkohë që ushtria ruse i afrohet Kievit. Në kufirin Ukrainë – Poloni shumë familje presin me padurim të bashkohen.
Disa prej tyre kanë kaluar më parë në anën polake, e të tjerët nxitojnë të shkelin në tokë të sigurtë. Shumica e tyre janë gra dhe fëmijë, shkruan Alsat.
Në temperatura të ulëta e reshje bore, më valixhe në duar e çantat në shpinë, një fluks tjetër refugjatësh mbërriti në Rumani. Dikush mbante në krah fëmijë, e dikush shtynte karrocën ku qëndronte i ulur ndonjë i moshuar apo person me aftësi të posaçme.
“Ndiej shumë dhimbje. Shumë dhimbje. Ndiej dhimbje për vendin dhe njerëzit e mi. Nuk kam fjalë për ta përshkruar këtë dhimbje. Kam lënë pas bashkëshortin tim, qenin, macet, shtëpinë, jetën time. Ishte një rrugë shumë e gjatë dhe shumë e frikshme..”, tha Maria Junharian.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, thuhet se rreth 836 mijë persona kanë kaluar në shtetet fqinje të Ukrainës, thënë ndryshe rreth 170 mijë më shumë se pasditen e të martës. Shuma prej tyre kanë shkuar në Poloni.
Shtetet me më shumë refugjatë:
454,000 në Poloni;
116,000 në Hungari;
67,000 në Sllovaki;
65,000 në Moldavi,
43,000 në Rusi,
38,000 në Rumani dhe
350 në Bjellorusi.
Edhe Ballkani ka treguar gatishmëri të strehojë refugjatët ukrainas. Një ditë më parë Qeveria e Kosovës informoi se do të strehojnë 20 gazetarë.
Madje në njoftimin e Qeverisë thuhet se për mbulimin e shpenzimeve të tyre për një periudhë kohore prej 6 muajsh është ndarë edhe një buxhet prej 150 mijë eurosh.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar 1,7 miliardë dollarë amerikanë pasi nevojat humanitare rriten në Ukrainë dhe në vendet fqinje./ Alsat.mk








