Milevski për Alsat: Të martën do të deponoj dorëheqjen në Qeveri

Milevski për Alsat: Të martën do të deponoj dorëheqjen në Qeveri

Gazetar: Adrian Kerimi

Të martën ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski do të deponon dorëheqjen e tij në Qeveri. Ai thotë se nga pozita e ministrit tërhiqet për arsye personale, ndërsa pas largimit nga ekzekutivi pritet edhe largimi i tij nga Partia Liberal Demokrate. Ambiciet për të zënë vendin e Milevskit nuk i ka fshehur nënkryetarja e PLD-së, Monika Zajkova aktualisht deputete e kësaj partie. Milevski do të mbetet në krye të PLD-së deri në kongresin e ardhshëm i cili pritet të mbahet në dhjetor.

Milevski largohet nga PLD-ja pas mosmarrëveshjeve që krijoi me partnerin e koalicionit, LSDM-në kryesisht mbi përmbajtjen e propozimit francez për kornizën negociuese me BE-në dhe zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Pakënaqësitë mes palëve kishin nisur që në kohën kur Alternativa u bë pjesë e shumicës dhe Milevski bashkërisht me subjektin nuk ishte i kënaqur me kulaçin qeveritar që iu nda partisë së Afrim Gashit.

Liberal Demokratët në Kuvend përfaqësohen me dy deputetë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 ky subjekt garoi me lista të përbashkëta me LSDM-në, ndërsa në zgjedhjet lokale të 2021 u shkëput nga koalicioni parazgjedhor. Milevski garoi si kandidat për Manastirin, ku për kundër kandidat në raundin e parë kishte Toni Konjanovskin e VMRO-së dhe Hristo Kondovskin e LSDM-së. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button