Milioneri amerikan dënohet me burgim të përjetshëm

Robert Durst, personazhi famëkeq i dokumentarit të HBO “The Jinx”, është dënuar me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për vrasjen e shoqes së tij të ngushtë.  78-vjeçari u shpall fajtor për vrasjen e Susan Berman në vitin 2000, në shtëpinë e saj në Beverly Hills, pak orë para se ajo do të merrej në pyetje nga hetuesit për zhdukjen e mistershme të gruas së parë të Durst, Kathleen McCormack Durst, që prej vitit 1982. Avokatët e Durst kërkuan rigjykim të çështjes, por kërkesa u refuzua nga Gjykata.

McCormack Durst u shpall ligjërisht e vdekur në vitin 2017, por trupi i saj nuk u gjet kurrë dhe askush nuk është akuzuar për zhdukjen e saj.

Gjatë seancave gjyqësore, Durst nuk pranoi kurrë se kishte vrarë gruan e tij të parë dhe Berman. Ai tha se e kishte gjetur Berman të shtrirë në tokë të pajetë, në dhomën e tij, me plagë në kokë nga e shtëna me pushkë. Por gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e çështjes, Durst pranoi se kishte dhënë dëshmi të rreme pesë herë gjatë seancave. Ndërsa një mik i përbashkët, Nick Chavin, dëshmoi se i akuzuar i kishte thënë “O unë, o ajo, nuk kisha zgjidhje tjetër”, duke iu referuar Berman-it.

Në vitin 2015, gjatë xhirimeve të dokumentarit, Durst duket sikur pranon vrasjen e të dy grave. Në skenën e fundit të xhirimeve, duke mos kuptuar që mikrofoni ishte ndezur, ai dëgjohet të thotë me vete: “Çfarë dreqin bëra? Sigurisht që i vrava”. Por gjatë gjyqit u zbulua se ato fjali ishin shkëputur dhe bashkuar duke u nxjerrë nga konteksti. Ndërsa Durst tha se kur kishte xhiruar dokumentarin ishte i droguar.

Kjo ishte hera e dytë që Durst dilte në gjyq, i akuzuar për vrasje. Në vitin 2003 ai pranoi se dy vite më parë kishte vrarë dhe shpërfytyruar fqinjin e tij në Galveston, Teksas. Ai tha se e kishte bërë këtë për vetëmbrojtje dhe nga paniku e kishte prerë me thikë atë. Prokurorët e akuzuan se donte të rrëmbente identitetin e tij për t’i shpëtuar hetimit për zhdukjen e bashkëshortes, por Gjykata e shpalli të pafajshëm në atë kohë.

LEXO EDHE:

Back to top button