Milloshoski: Opsionet e VMRO-së parashikojnë largimin e BDI-së nga Qeveria

Milloshoski: Opsionet e VMRO-së parashikojnë largimin e BDI-së nga Qeveria

Gazetar: Adrian Kerimi

VMRO-DPMNE-ja kërkon nga LSDM-ja të vendos mes dy opsioneve: Qeveri të zgjeruar pa BDI-në brenda saj, apo zgjedhje të parakohshme parlamentare në shtator ose fillimi tetorit. Nga partia opozitare maqedonase thonë se formimi i grupeve të punës mes dy partive nga blloku politik maqedonas do të kishte kuptim vetëm pasi socialdemokratët të prononcohen për njërin nga opsionet. Nga VMRO mbeten në qëndrimin se ndryshime kushtetuese me diktat nga Bullgaria nuk do të ketë.

“Potencojmë se dy opsionet nënkuptojnë largimin e BDI-së sepse ato janë virusi 20 vjeçar që ka helmuar institucionet me korrupsion të lartë dhe jo efikasitet. Formimi i grupeve të punës do të kishte logjikë vetëm atëherë kur LSDM-ja tregon se cili nga dy opsionet e ofruara nga VMRO-DPMNE-ja për ta është i pranueshëm. Të gjithë spinat për pranimin e ndryshimeve kushtetuese me diktat bullgar janë të pavërtetë”, deklaroi Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski vlerëson se VMRO-DPMNE-ja po tregon jo seriozitet pavarësisht se sipas tij, kreu i opozitës pranoi ndryshime kushtetuese. Sipas Kovaçevskit, Qeveria e zgjeruar do t’i hap negociatat dhe do të mbyll disa kapituj, ndërsa më pas ashtu siç thotë edhe ligji, do të ketë edhe 100 ditë Qeveri teknike.

“Do të bëjmë bashkërisht hapjen e kushtetutës, më pas do të formohet Qeveri në të cilën LSDM-ja do t’i VMRO-së gjysmën e funksioneve. Ajo Qeveri do ta përfundon procesin e ndryshimeve kushtetuese, procesin e skriningut, do ta mbaj konferencën e dytë ndër qeveritare, do t’i hap kapitujt dhe do t’i mbyllim kapitujt nga të drejtat themelore. Mendoj se për ata më mirë është që nga pozita e pushtetit të shkohet në zgjedhje se sa të formohet Qeveri teknike. Megjithatë derisa ligji parashikon Qeveri teknike, ajo patjetër të bëhet”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Aleanca për Shqiptarët është e gatshme të dalë nga Qeveria vetëm që VMRO-DPMNE-ja t’i mbështes ndryshimet kushtetuese. Ndërkohë BDI-ja ka shprehur qëndrimin se është e gatshme të largohet në pushtetit mbi bazën e kushtit që Qeveria e zgjeruar pa BDI-në të formohet pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button