Ministrat e Jashtëm të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan në Sofje protokollin bilateral

Ministrat e Jashtëm të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan në Sofje protokollin bilateral

Gazetar: Adrian Kerimi

Ministrat e Jashtëm të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan në Sofje protokollin bilateral për dyja vendet. Shefja e diplomacisë bullgare, duke i uruar sukses Shkupit në rrugëtimin Evropian tha se tani e tutje ajo që mbetet është zbatimi me përpikëri i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Lidhur me gjuhën maqedonase, Gençovska potencoi se qëndrimi i bullgarisë mbetet unilateral ndaj gjuhës maqedonase.

“Bullgaria nuk heq dorë nga qëndrimi i saj në lidhje me gjuhën zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. E respektoj plotësisht vendimin e Kuvendit sipas të cilit Bullgaria nuk e njeh këtë gjuhë. Lidhur me 26 vendet tjera anëtare, gjithsesi se ato kanë pozicionet e tyre dhe neve nuk mundemi të ndikojmë që ata ta pranojnë qëndrimin tonë. Por ajo që dua të them është se qëndrimi bullgar është i betonuar për gjatë gjithë kornizës negocuese”, tha Teodora Gençovska, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Nënshkrimin e protokollit, ministri i jashtëm, Bujar Osmani e vlerësoi si fillim të ri për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Osmani tha se Shkupi pret mbështetjen e pa kompromis të Sofjes në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Takimin me homologen e tij Osmani e vlerësoi si konstruktiv dhe përmbajtjesor.

“Pres mbështetjen e Republikës së Bullgarisë në rrugëtimin të cilin po e fillojmë, rrugën e bisedimeve aderuese mbështetje e cila është në interesin e qytetarëve nga të dyja vendet të cilët kanë një interes të përbashkët, Ballkani Perëndimorë të lëvizë shpejt dhe sigurt drejt BE-së. Ky është vetëm një fillim i ri. Nga sot e tutje kemi hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet tona si dy vende fqinje”, theksoi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.

Nënshkrimi i protokollit paraqet kushtin kryesor i cili duhej të plotësohej që vendit t’i hapej rruga për nisjen e negociatave dhe caktimin e konferencës së parë ndërqeveritare. Nënshkrimi i tij erdhi një ditë pas miratimit të konkluzioneve në Kuvend mbi propozimin francez i cili u bë çelës i tejkalimi të kontestit disa vjeçar maqedono-bullgar./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button