Ministrat e rinj para Kuvendit, vendimi pritet më 13 korrik

Gazetar: Zekrija Haxhiu

Të hënën e ardhshme më 13 korrik është caktuar seanca për zgjedhjen e ministrave të rinj të qeverisë në kuadër të rikonstruimit të paralajmëruar. Në Kuvend duhet të zgjidhen ministra plotësisht të rinj siç janë Jeton Shasivari në Drejtësi, Agon Ferati në Ministrinë e Sistemit Politik ndërsa Sedat Sulejmani nga zv.ministër kalon në ministër të Kulturës.

Lëvizje mes resorëve do të ketë edhe në VMRO-DPMNE dhe ZNAM. Ivan Stoillkoviq nga Ministria e Sistemit Politik kalon në Ministrinë për Vetqeverisje Lokale. Gjoko Vellkovski nga zëvendës kalon në ministër i Politikës Sociale. Në vend të Azir Aliut, si ministër i shëndetësisë do të vijë Sasho Klekovski ndërsa në vend të Shaban Saliu, si ministër pa resor për zbatimin e strategjisë për integrimin e romëve vjen Erxhan Demir.

Nga Lëvizja ZNAM, Borçe Stamenkovski do të jetë ministër i ri i Bujqësisë në vend të Cvetan Tripunovskit.

Përpos ministrave, Qeveria duhet të plotësojë dhe vendet e zbrazura të zëvendës ministrave në Kulturë dhe Politikë Sociale. Por kjo procedurë mbetet pas pushimeve verore. Kryeministri Hristijan Mickoski nuk saktësoi nëse do të ketë edhe lëvizje të tjera të zëvendës ministrave por shkurt u shpreh se ndryshimet do të bëhen në bazë të marrëveshjes brenda koalicionit qeveritar.

“Tani nuk do të plotësohet asgjë. Tani më datë 13-14 dy ditë në Kuvend ka debat për rekonstruim, më pas rebalanci i buxhetit. – Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Pas pushimeve verore, a planifikoni të bëni më tepër ndryshime për zv.ministrat apo vetëm do t’i plotësoni këto dy pozita boshe?

Po, do të jenë në kuadër të asaj që është dakorduar.”

Pas votimit të tetë ministrave të rinj, do të vijojë edhe një procedurë e ndarë për votimit e ministrit tjetër pa resor nga radhët e Partisë Demokratike Turke e cila ju bashkua shumicës pasi hyri në koalicion të drejtpërdrejtë me VMRO-në. Se cili do të jetë ai, nuk dihet akoma. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button