Komunat shfrytëzojnë pushimin veror për rregullimin e shkollave
Gazetar: Avni Tahiri
Gjatë periudhës së pushimit veror, shkollat fillore dhe të mesme duhet të fillojnë aktivitetet për mirëmbajtjen dhe investimeve infrastrukturore, me synimin që viti i ri shkollor të nisë në kushte më të mira për nxënësit. Por çfarë aktivitetesh konkretisht planifikojnë të ndërmarrin komuna e Çairit, Studeniçanit dhe Sarajit për të filluar më së miri 1 shtatorin. Sipas komunës së Çairit, në të gjitha shkollat janë duke u zhvilluar punime për rregullimin e hapësirave të brendshme dhe të jashtme.
“Në të gjitha shkollat fillore të Komunës së Çairit janë planifikuar aktivitete për lyerje, pastrim, mirëmbajtje dhe rregullim të hapësirave të brendshme dhe të jashtme, si dhe intervenime të tjera teknike sipas nevojave të evidentuara. Paralelisht, janë paraparë investime në infrastrukturën shkollore, përfshirë zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes dhe të kaldajave ekzistuese, sanimin e kulmeve, riparimin e dritareve dhe punime të tjera për përmirësimin e kushteve në objektet shkollore.” – Komuna e Çairit.
Nga Komuna e Sarajit thonë se janë duke punuar në disa projekte në më shumë fshatra.
Ndër projektet më të rëndësishme që do të realizohen gjatë kësaj periudhe janë: Fillimi i ndërtimit të objektit të ri shkollor në vendbanimin Matkë, Renovimi i tërësishëm i tualeteve në shkollën Fillore në Bukoviq, Renovimi i tualeteve në shkollën periferike të Kopanicës, në kuadër të shkollës “Drita”, ndërrimi i kulmit të Shkollës në Radushë. Gjithashtu, para pak ditësh ka filluar ndërtimi i sallës sportive në shkollën “Drita” në Rashçe, një investim i rëndësishëm që do të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe edukative të nxënësve. Në fazën përfundimtare ndodhet edhe projekti për rikonstruktimin e plotë të sallës sportive në shkollën “Bajram Shabani” në Kondovë, i cili pritet të përfundojë së shpejti dhe të vihet në funksion të nxënësve. – Komuna e Sarajit.
Nga Komuna e Studeniçanit thonë se, pavarësisht sfidave financiare, po vazhdojnë me investime për përmirësimin e kushteve në shkollat fillore të komunës, në bashkëpunim me donatorë vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Gjatë pushimit veror janë planifikuar dhe po realizohen një sërë aktivitetesh në disa shkolla fillore, të cilat përfshijnë renovimin e klasave, ndërtimin dhe rregullimin e tualeteve, lyerjen e hapësirave shkollore, si dhe ndërhyrje të tjera për përmirësimin e kushteve të mësimit dhe punës për nxënësit dhe stafin arsimor. Një investim i rëndësishëm do të realizohet në Shkollën Fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në Koliçan të Poshtëm, ku do të bëhet renovimi i plotë dhe pajisja me inventar e dy klasave mësimore, si dhe renovimi i sallës së solemniteteve.” – Komuna e Studeniçanit.
Se a do të realizohen apo jo këto projekte të planifikuara nga komunat, pritet që të shihet në terren para 1 shtatorit. /Alsat.mk







