Ministria e Drejtësisë do të paraqesë kërkesa të reja për ekstradimin e Gruevskit, Ismailoviqit dhe Demirit

Ministria e Drejtësisë do të paraqesë kërkesa të reja për ekstradimin e Gruevskit, Ismailoviqit dhe Demirit

Gazetar: Mefail Ismaili

Ministria e Drejtësisë njofton se do të dorëzojë kërkesa të reja për ekstradimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevskit i cili ndodhet në Hungari, si dhe të dënuarve për rastin “Monstra” Afrim Ismailoviq dhe Alil Demir të cilët ndodhen në Kosovë.

Deri më tani kërkesat e Ministrisë së Drejtësisë për ekstradim janë refuzuar. Për ish kryeministrin Nikolla Gruevski, kërkesa e parë për ekstradim është bërë në nëntor të vitit 2018, ndërsa ka pasur edhe një plotësim të kërkesës për në Qershor të vitit 2019.

Por përgjigjja e autoriteteve hungareze ka qenë negative. Më 05 gusht të vitit 2019 Hungaria është përgjigjur se Nikolla Gruevskit i është dhënë azil politik  dhe në pajtueshmëri me ligjin e tyre, ky person nuk mund t’i dorëzohet shtetit nga i cili ka ikur.

Ekstradimin e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit nga Republika e Kosovës, Ministria e Drejtësisë për herë të parë e ka kërkuar më 15 mars të vitit 2013. Kërkesa u refuzua me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë më tetor të vitit 2015 ndërsa në janar të vitit 2016 kërkesën e refuzoi edhe Gjykata e Apelit të Kosovës.

Por më 5 shtator të vitit 2018, ministria e Drejtësisë së ka kërkuar përsëri nga autoritetet e Kosovës që të ekstradojnë Demirin dhe Ismailoviqin. Ndërsa më 8 tetor të vitit të kaluar, Ministria e Drejtësisë së Kosovës është përgjigjur se ekstradimi për Afrim Ismailoviqin është refuzuar ndërsa për Alil Demirin nuk ka kthyer përgjigje. Në përgjigjet e autoriteteve kosovare thuhet se në kërkesë mungojnë faktet për ekstradim.

Gjykata e Apelit në Shkup, ditë më parë konfirmoi vendimin e shkallës së parë për rastin “Monstra”, me të cilin Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë të dënuar në mos prezencë me burg të përjetshëm.

LEXO EDHE:

Back to top button