Ministria e Jashtme e Maqedonisë i përgjigjet Bullgarisë: Presim sjellje evropiane dhe njohje të gjuhës maqedonase
Ministria e Jashtme e Maqedonisë i përgjigjet Bullgarisë: Presim sjellje evropiane dhe njohje të gjuhës maqedonase
Republika e Maqedonisë së Veriut riafirmon përkushtimin e saj ndaj rregullave evropiane dhe parimit të meritës në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ).
Sipas MPJ-së, Drafti i Planit të Veprimit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Anëtarëve të Komuniteteve është hartuar në gjuhën maqedonase dhe angleze nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian. Dokumenti përmban masa konkrete, afate të qarta dhe institucione përgjegjëse, duke qenë plotësisht në përputhje me standardet më të larta evropiane.
Ministria thekson se procesi i hartimit të këtij drafti ka nisur në vitin 2023 dhe ka kaluar në disa faza, ndërsa finalizimi është intensifikuar gjatë gjashtë muajve të fundit të vitit 2025. Gjatë gjithë këtij procesi, janë përfshirë dhe konsultuar rregullisht ekspertë nga fusha e së drejtës ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të minoriteteve.
Nga MPJ e RMV-së bëhet e ditur se si Këshilli i Evropës, ashtu edhe Komisioni Evropian kanë vlerësuar se dokumenti përfshin të gjitha standardet përkatëse evropiane dhe ndërkombëtare.
Në reagim, MPJ shpreh shqetësim për komentet e Bullgarisë, duke i cilësuar ato si abstrakte dhe të pabazuara, të cilat sipas tyre nuk kontribuojnë në ndërtimin e besimit ndërmjet dy vendeve. “Në vend të kritikave të pabazuara, presim sjellje evropiane nga fqinji ynë, përfshirë respektin dhe njohjen e plotë të gjuhës maqedonase”, thuhet në reagimin e MPJ-së.








