Ministria e Mbrojtjes i mbanë të klasifikuara donacionet për Ukrainën 

Ministria e Mbrojtjes i mbanë të klasifikuara donacionet për Ukrainën 

Gazetar: Mefail Ismaili

Ministria e Mbrojtjes vazhdon të mbaj si të klasifikuara donacionet për Ukrainën.

Ministrja Sllavjanka Petrovska thotë Qeveria ka sjellë tre vendime për donacione ushtarake Ukrainës dhe ata janë bërë publike, por detajet me pajisjet dhe armatimin e dhënë nuk mund të bëhen publike për shkaqe sigurie, shkruan Alsat.

Petrovska konfirmoi se Ukrainës i kanë dhënë tanke “T-72” duke mos zbuluar numrin e tyre, por nuk foli për dhurimin e aeroplanëve dhe helikopterëve, për të cilat media flasin disa ditë me radhë.

“Kur të vlerësojmë se nuk do të ekzistojë asnjë lloj rreziku për sigurinë, ato tre vendime do të deklasifikohen në mënyrë përkatëse dhe opinioni do e dijë saktë se në çfarë sasie dhe çfarë lloj të pajisjeve dhe armëve i kemi bërë donacion Ukrainës… Ajo që ishte e dukshme ishte transporti i tankeve, nuk do të tregojmë sa është sasia, por po, pjesë e atij donacioni janë edhe tanket”, tha Sllavjanka Petrovska, Ministre e Mbrojtjes.

Nga Shtabi i Përgjithshëm i armatës shpjeguan për gazetarët se tanket të cilat i janë bërë donacion Ukrainës nuk kanë qenë të vlefshme për armatën tonë, gjatë kohë nuk kanë qenë të renovuara. Por shtojnë se për armët që janë dhuruar, Armata e Maqedonisë së Veriut do të marrë si donacion armatim më të modernizuar nga vendet partnere.

Ministrja Petrovska shtoi se Armata është në fazë të disa furnizimeve me pajisje të lehta ushtarake, ndërsa nuk planifikon të pajiset me helikopter modern sulmues.

“Pajisjet e reja janë ata që janë përfshirë në planin për furnizim të armatës, kanë të bëjnë me automjete të blinduara, 6 prej të cilave kanë arritur, deri në fund të vitit parashikohen edhe 27 automjete të blinduara dhe deri në vitin 2028 duhet të rrumbullakohet numri prej 96 automjete të blinduara që do të jenë pjesë e Armatës dhe armatimit tonë”, theksoi Sllavjanka Petrovska, Ministre e Mbrojtjes.

Nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Armatës thonë se sipas planeve do të vazhdojnë të pajisin ushtrinë me armatim të lehtë dhe me uniforma, ndërsa parashikojnë edhe armatime më të rënda por për një periudhë më të gjatë, për të përmbushur kërkesat e NATO-s. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button