Osmani i bënë thirrje BE-së që të reagojë ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë

Osmani i bënë thirrje BE-së që të reagojë ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë

Kosova dhe Serbia nuk mund të trajtohen njëjtë kur bëhet fjalë për përdorimin e retorikës luftënxitëse. Bashkimi Evropian të reagojë ndaj “tendencave destabilizuese të Serbisë”, ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit në Prishtinë me presidentin shqiptar, Bajram Begaj.

Reagimi i presidentes së Kosovës vjen një ditë pasi Bashkimi Evropian u bëri thirrje liderëve në Kosovë dhe Serbi t’i japin fund retorikës nxitëse pasi tha se “do t’i mbajë përgjegjës liderët politikë për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.

“Ne presim që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë ndaj gjithë rajonit, tendenca këto që janë të nxitura dhe i shërbejnë interesave të Rusisë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të trajtimit të palëve kur qartazi Serbia është agresori dhe është ajo që po përdor retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën. Por, edhe veprime të cilat cenojnë paqen dhe stabilitetin ndaj Kosovës”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

BE-ja shprehu shqetësimin e saj më 14 gusht, teksa zyrtarët në Serbi dhe Kosovë kanë shkëmbyer akuza për rritjen e tensioneve. Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pasur rrezik që tensionet e fundit në veri të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka informacione se Prishtina po përgatitet të “likuidojë” serbët në veri.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Kosova shprehu maturi në tensionet e fundit në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, kur serbët lokalë bllokuan rrugët për të shprehur kundërshtimin e tyre për vendimet e Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Presidenti shqiptar tha se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, midis Kosovës dhe Serbisë, është mënyra e vetme për, siç tha ai, t’ia bërë të qartë Serbisë se “realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”.

“Formula e zgjidhjes së dialogut Kosovë-Serbi e shprehur nga presidenti [i Shteteve të Bashkuara, Joe] Biden, si marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve e fokusuar në njohje reciproke. Apo qëndrimi i përsëritur i kancelarit [gjerman, Olaf] Scholz se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, janë inkurajuese në përpjekjet tona që rezultati përfundimtar të jetë një: marrëveshje e detyrueshme ligjore që përcakton saktësisht njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve sipas Kushtetutës së Kosovës”, u shpreh Bajram Begaj, President i Shqipërisë.

Presidenti i Shqipërisë po ashtu shprehur mbështetjen e shtetit të tij për anëtasëimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, sikurse BE-ja dhe NATO-ja, por po ashtu tha se Tirana do të punojë që liberalizimi I vizave për Kosovën të ndodhë shpejt./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button