Mori “çmimin” për sjelljen më të keqe të vitit, a ka ndërmend Rita Ora të kthehet sërish në ekran?

Rita Ora ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike këto ditë për shkak se theu dy herë rregullat e pandemisë. Ajo udhëtoi drejt Egjiptit pa kryer tampon dhe organizoi një festë me 30 miq për ditëlindjen e saj, duke mos ruajtur në këtë mënyrë as distancën fizike. Për këtë arsye ajo mori një lumë kritikash nga fansat dhe një gjobë prej 10 mijë paund.

Së fundmi ajo ka fituar edhe “çmimin” për “sjelljen më të keqe të vitit” së bashku me disa personazhe të tjerë të njohur. Tabloidi britanik “Daily Mail” ka zgjedhur bashkë me ekspertin e sjelljeve, William Hanson, VIP-at që janë sjellë më keq këtë vit dhe që sigurisht kanë rënë në sy të publikut për këtë shkak.

Me ironi Rita është cilësuar si një njeri vetëmohues dhe në të shkruhet se përveçse është këngëtare, është gjithashtu një mikrobiologe e kualifikuar, e specializuar për viruset.

“Gjatë viteve të hulumtimit dhe doktoratës në epidemiologji në Shkollën e Teatrit për fëmijë “Sylvia Young (i referohet shkollës fillore që Rita ka ndjekur) ajo e ka kuptuar shumë mirë se koronavirusi do të shmangte zonat e pasura të Londrës Perëndimore, duke lejuar doktoreshë Orën dhe profesionistë të tjerë mjekësorë të tillë si Cara Delevingne dhe Profesor Vas J Morgan të festojnë në masë.

Kur u zbulua festa e ditëlindjes në Notting Hill, zonja Ora kërkoi falje me shpejtësi duke thënë se ishte një vendim i momentit. Nuk ka rëndësi nëse bie apo jo dakord me rregullat. Ato janë rregulla. Nëse nuk je dakord atëherë përfshihu në parlament dhe lobo që t’i ndryshosh. Askush nuk është mbi to. Ne po e kalojmë këtë gjë të gjithë së bashku”, shkruhet në artikull për këngëtaren.

Por, a ka ndërmend Rita të rikthehet sërish në ekran?

Këngëtarja duket se do t’ia lërë të gjitha pas 2020-ës dhe do të kthehet në ekran për sezonin e dytë të “The Masked Singer”, që do të fillojë në ITV në Boxing Day.

Rita foli për kostumet mbresëlënëse të konkurrentëve, duke thënë se ato janë ‘kaq ekstravagante’ dhe me të vërtetë ndihmojnë për të mbajtur të gjithë panelin në ankth deri në momentin e fundit.

“Kostumet janë kaq ekstravagante. Ata vërtet po e turpërojnë veshjet e mia të turneut! Dua t’i vjedh për turnetë e mia!”- u shpreh ajo ndër të tjera.

Ndërkohë, këngëtarja nuk e ceku aspak temën e “çmimit” për sjelljen më të keqe.

LEXO EDHE:

Back to top button