Moti i mirë i mbushi kafenetë në kryeqytet

Fundi i pandemisë dhe kthimi i jetës normale janë dëshirat e vetme të gastronomëve në Vitin e Ri. Nëse këto dëshira plotësohen, sektori i gastronomisë sërish do rimëkëmbet. Ditën e parë të vitit të ri në një pjesë të Shkupit objektet gastronomike ishin bosh. Por në Çarshinë e Shkupit, shumë qytetarë vendosën motin e mirë ta shfrytëzojnë në ndonjërën nga kafenetë ose restorantet. Megithatë, për gastronomët kjo është larg praktikës që ishte në vitet e mëparshme.

“Nuk kam asnjë pritje pas këtij viti. Do të jem i lumtur vetëm nëse kthehet jeta në normalitet, asgjë më shumë. T’ju them sinqerisht, nuk pres mysafirë, ndoshta dikush mund të kthejë për kafe por asgjë e veçantë.”

Rimëkëmbja e këtij sektori, sipas pronarëve të objekteve gastronomike do të jetë e ngadalshme, sepse fillimisht do duhet t’i mbulojnë humbjet që kishin në vitin 2020.

“Shpresojmë që kriza e përgjithshme e krijuar nga pandemia Covid-19 do të përfundojë shumë shpejt dhe gastronomët do të kthehen në të ashtuquajturën gjendje normale, që ishte në vitin 2019.” Procesi i kthimit të sektorit të gastronomisë nuk do të jetë aq i shpejtë sa presin të gjithë, me siguri do të jetë i ngadaltë dhe do të zgjasë deri në fund të këtij viti.”

Analizat e fundit të Odës Ekonomike tregojnë se qarkullimi në punën e restoranteve dhe objekteve të tjera shënon rënie prej 75% në tremujorin e dytë dhe 29.5% në tremujorin e tretë. Është e domosdoshme që shteti të miratojë masa të posaçme për këtë sektor dhe ndihmë të njëhershme të pakthyeshme për gastronominë dhe turizmin që nuk kishin mundësi t’i shfrytëzojnë masat e miratuara më parë , theksojnë nga Oda ekonomike.

Andrea Çobanova

LEXO EDHE:

Back to top button