MPB: Aplikimet për Shkollën e Mesme Policore vazhdojnë deri më 18 korrik

Gazetare: Melihate Rustemi

Interesimi për regjistrim në Shkollën e Mesme Policore është i lartë, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme thotë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet që mësimi të nisë sipas planit në shtator. Ndihmës ministri, Vllatko Mitkovski tha se procedura e aplikimit është e thjeshtë dhe se kandidatët duhet të dorëzojnë dëftesat e vitit të parë dhe të dytë të shkollës së mesme, certifikatën e lindjes, certifikatën e shtetësisë dhe vërtetimin mjekësor. Dokumentet mund të dorëzohen në origjinal ose në kopje të noterizuara.

“Është e rëndësishme të theksohet se nxënësit që shprehin interes për të aplikuar në shkollën e mesme policore nuk duhet të çregjistrohen nga shkolla ku aktualisht ndjekin mësimin. Çregjistrimi bëhet vetëm në fund, pasi të publikohet lista përfundimtare e kandidatëve të pranuar. Gjithashtu, mund të aplikojnë edhe nxënësit që e kanë përfunduar vitin e tretë të shkollës së mesme, nëse në ditën e publikimit të thirrjes publike nuk kanë mbushur 18 vjeç. Llogaritet edhe suksesi i nxënësve në vitin e parë dhe të dytë të shkollës së mesme, si dhe sjellja e tyre, e cila nuk duhet të jetë e ulur. Më pas zhvillohet faza e testit të përgjithshëm të njohurive, ndërsa faza e tretë është intervista, pra një bisedë e drejtpërdrejtë me kandidatin”, tha Vllatko Mitkovski, Ndihmës ministër.

Lidhur me ankesat e disa kandidatëve për vërtetimet mjekësore, Mitkovski theksoi se nuk bëhet dallim ndërmjet institucioneve shëndetësore private dhe publike. Sipas tij, çdo institucion që posedon licencë për lëshimin e vërtetimeve për aftësi shëndetësore dhe psikofizike mund të lëshojë dokumentin e nevojshëm për aplikim.

“Nuk është e arsyeshme që disa institucione shëndetësore ta lëshojnë këtë vërtetim sipas procedurës së duhur, ndërsa të tjera të arsyetohen se nuk mund ta bëjnë. Institucionet zakonisht kërkojnë që kandidati të identifikohet me letërnjoftim, nëse e ka nxjerrë atë pas moshës 16-vjeçare, ose me pasaportë. Nëse nuk posedon asnjërën prej tyre, duhet të paraqitet së bashku me një prind, i cili konfirmon identitetin dhe moshën e tij. Mendoj se kjo mund të jetë arsyeja pse disa institucione nuk lëshojnë vërtetime për të miturit”, sqaroi Vllato Mitkovski, ndihmës ministër.

Sipas ndihmës ministrit, Vllato Mitkovski, paralelisht me procesin e pranimit të kandidatëve, po zhvillohen punime për rikonstruktimin e objektit të shkollës, si dhe përgatitjet për përzgjedhjen e stafit mësimor. Konkursi publik për regjistrim në shkollën e mesme policore do të jetë i hapur deri më 18 korrik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button