MPJ dënon aktin e djegies së flamurit bullgar në Vevçani

Ministria e Punëve të Jashtme ka dënuar aktin e djegies së flamurit bullgar gjatë karnavaleve në Vevçani, duke e cilësuar si akt të dëmshëm për reputacionin e shtetit.

“Tradita shekullore nuk duhet të rrezikohet përmes aktiviteteve që nënçmojnë ose fyejnë popujt, kombet, veçanërisht fqinjët tanë. Dënojmë djegien e flamurit të Republikës së Bullgarisë në Karnavalin në Vevçani, një akt që jo vetëm dëmton reputacionin e Karnavalit por gjithashtu dëmton reputacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ministrja e Punëve të Jashtme në Bullgari, Ekaterina Zaharieva sot njoftoi se ambasadori bullgar në vend, Angel Angellov ka dërguar një notë të ashpër verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut pas djegies së flamurit bullgar në Karnavalin e Vevçani.

“Pas informacionit për djegien e flamurit bullgar në fshatin Vevçani në Republikën e Maqedonisë së Veriut, unë i kërkova ambasadorit bullgar në Shkup që t’i shprehte Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, mospajtimin tonë të fuqishëm me këtë akt vandalizmi. Ambasadori Angelov tashmë i ka dërguar një demarsh të ashpër Ministrisë së Punëve të Jashtme të RVM-së” shkroi Zahareva në Facebook.

LEXO EDHE:

Back to top button