MPJ Osmani e prezantoi protokollin – pohon se gjithçka është në bazë të reciprocitetit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pasditen e sotme ka shpallur protokollin bilateral me Republikën e Bullgarisë. Osmani pohon se e gjithë marrëveshja bazohet në reciprocitet dhe se përfshin detyrime të barabarta për të dyja palët. Sa i përket përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutën e shtetit, kjo duhet të bëhet pas skriningut, i cili do të fillojë pas konferencës politike për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Pas atij ndryshimi kushtetues, i cili aktualisht është i pamundur për shkak të shumicës së kërkuar prej dy të tretash, praktikisht fillon procesi i negociatave për anëtarësim. Lidhur me punën e komisionit historik, ministri i Jashtëm pohon se dy qeveritë marrin përsipër të inkurajojnë punën e tij, por pa vendosur afate. Ai thotë se qeveritë do t’i zbatojnë ato rekomandime vetëm pasi komisioni të arrijë një marrëveshje.

Osmani pretendon se marrëveshja me Frontex do të nënshkruhet në gjuhën maqedonase, ndonëse Sofja zyrtare nuk e ndryshon aspak qëndrimin dhe e përshkruan me togfjalëshin “të ashtuquajturat”.

Sipas Bujar Osmanit, të dyja vendet marrin përsipër të luftojnë gjuhën e urrejtjes, por ajo luftë në vendin tonë do të zhvillohet sipas legjislacionit maqedonas dhe nuk do të përcaktohet nga Bullgaria.

LEXO EDHE:

Back to top button