Mrekulli në Zagreb, Orsiç eliminon Totenham-in

Dinamo e Zagrebit ka mundur 3-0 Totenham-in në ndeshjen e kthimit të 1/8-ave të Ligës Europa dhe është kualifikuar në çerekfinale, pas humbjes 2-0 të pësuar në Angli. Heroi i sfidës së luajtur në stadiumin “Maksimir” ishte Mislav Orsic, autori i të tre golave të kroatëve (62′, 83′, 106′). 28-vjeçari është lojtari i parë në histori i Dinamos së Zagrebit që shënon 3 gola në një ndeshje europiane kundër një ekipi anglez. Gjithashtu, ai është futbollisti i dytë në histori që shënon një tregolësh kundër Totenham-it në një ndeshje europiane, pas katër golave të realizuar nga Gnabri për Bajern-in në fazën me grupe të Ligës së Kampionëve në sezonin e kaluar.

 

Roma, Arsenal dhe Granada janë tre skuadrat e tjera çerekfinaliste të Ligës Europa. “Verdhekuqtë” e Paullo Fonsekas fituan edhe ndeshjen e dytë ndaj ish-skuadrës së trajnerit të tyre, Shakthar Donetsk brenda në Kiev me shifrat 1-2 duke avancuar më tej me rezultat të përgjithshëm 5-1. Me Kumbullën titullar, Roma arriti të zhbllokonte shifrat në minutën e 48-të me spanjollin Borha Majoral. Në minutën e 59-të megjithatë Junior Moraes riktheu baraspeshën për ukrainasit, që gjithsesi u dorëzuan pa kushte përsa i përket çështjes së kualifikimit në minutën e 72-të kur Borha Majoral shënoi edhe golin e dytë personal në këtë sfidë duke vulosur edhe fitoren e Romës.

 

U mund minimalisht nga Olympiakos në ndeshjen e kthimit skuadra e Arsenalit që gjithsesi pavarësisht humbjes 0-1 në “Fly Emirates” avancoi më tej falë fitores 3-1 në ndeshjen e parë. Golin e vetëm për grekët e shënoi marokeni El Arabi në fillimin e pjesës së dytë.

 

Edhe Granada u mposht në ndeshjen e kthimit nga Molde me shifrat 2-1 por preku çerekfinalet falë suksesit 2-0 në ndeshjen e parë.

LEXO EDHE:

Back to top button