MSH i rekomandon IKSHPK-së të testojë studentët që studiojnë në Maqedoninë e Veriut

Vendimi i Maqedonisë së Veriut që kosovarët të kalojnë në territorin e tyre vetëm me test negativ për COVID19, iu ka shkaktuar probleme të shumta studentëve të mjekësisë, të cilët studiojnë në Universitetin e Tetovës.

Kjo pasi që, javën e kaluar një grup i studentëve kosovarë të mjekësisë janë refuzuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) për të kryer testet, duke u udhëzuar që t’i kryejnë në laboratorë privat të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Mirëpo, kjo po iu kushton studentëve, të cilët kërkojnë nga IKSHPK që testet për COVID19 t’iu bëhet falas.

IndeksOnline ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë çështje, ku nga ky institucion kanë thënë se do të bëhet një zgjidhje për studentët e mjekësisë që studiojnë në Maqedoninë e Veriut.

Faik Hoti, zëdhënës në MSH ka thënë se institucioni ku ai punon i ka rekomanduar IKSHPK-së që të bëjë testimin e grupit të studentëve në mënyrë që t’i kryejnë përgjegjësitë në universitetet ku studiojnë.

“MSh i ka rekomanduar IKSHPK-së që të bëjë testimin e grupit të studentëve nga Kosova që studiojnë në Universitetin e Tetovës dhe universiteteve të tjera në Maqedoninë e Veriut, me qellim që të njëjtit të mund t’i kryejnë përgjegjësitë dhe obligimet e tyre në raport me studimet e tyre dhe universitetet ku studiojnë. Pra, do të bëhet zgjidhja për ta”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, IndeksOnline ka pyetur edhe në IKSHPK se a kanë teste të mjaftueshme për t’i testuar studentët në mënyrë që të kryejnë provimet e tyre në Maqedoninë e Veriut, por të njëjtit kanë thënë se do të informoheni përmes komunikatave.

LEXO EDHE:

Back to top button