Mungesë e teksteve profesionale në shkolla

Mungesë e teksteve profesionale në shkolla

Gazetare: Melihate Rustemi

Nxënësit e arsimit profesional edhe këtë vit shkollor po e mbyllin pa tekstet shkollore. Nxënësit po gjejnë mënyra të ndryshme për të kompensuar mungesën e teksteve. Blerta Bekaj, profesoreshë e lëndës kimi analitike në shkollën“Marija Kiri Skllodovska” tha se vështirësitë janë të shumta, posaçërisht në lëndët ku zhvillohet mësimi praktik.

“Jemi të detyruar të marrim material prej internetit, gjithashtu edhe në libra të ndryshëm, praktikume të ndryshme që me ju mundësuar nxënësve ushtrime të cilat duhet t’i kryejnë në laborator. Ora është pak e vështirë për ta plarotësu për shkakun se duhet mund pak më shumë materiali që të kompletohet. Gjithashtu edhe për nxënësit është pak më e vështirë për shkak se duhet të gjejmë mënyra që më herët me u’a dërguar mësimet ose të bëhet kopje që në orë të jenë me mësime”, tha Blerta Bekaj, profesoreshë e kimisë analitike.

Nxënësit që takuam në këtë shkollë vlerësojnë se mungesa e teksteve ka dyfishuar angazhimet e tyre që kanë të bëjnë mësimin. Ata kujtojnë se libra mungojnë në të gjitha lëndët, duke përjashtuar lëndën e gjuhës shqipe dhe edukatën fizike.

“Pothuajse në të gjitha lëndët. Ne jemi drejtimi laborant kimik dhe thuajse kemi 11 lëndë, përveç sportit, edukatës fizike ne në të gjitha lëndët e tjera nuk kemi libra”, u shpreh një nxënëse.

“Nuk është edhe aq keq por i ka vështirësitë e veta, marrim shënime gjatë orës, ndonjëherë profesorët na dërgojnë linqe, na dërgojnë fotografi, kjo na e vështirëson pak punën por prapë kalojmë mirë”, tha një nxënës.

“Ana praktike është pak sa e vështirë sepse nuk kemi libra. Të gjitha njësitë mësimore duhet ti marrim prej ditarëve të nxënësve të mëhershëm ose profesorët i përgatisin mësimet në shtëpi”, shtoi një nxënëse.

Kohë më parë Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se janë miratuar tekstet e reja shkollore për arsimin e mesëm profesional të cilat do të shtypen në faza. Gjithashtu nga MASH thanë se gjatë vitit 2022, Shërbimi Pedagogjik ka miratuar rreth 100 tekste shkollore për arsimin e mesëm profesional katërvjeçar, për lëndët e përgjithshme-arsimore dhe për gjimnazin matematiko-informatikë. Për numër të madh të lëndëve procedurat për përgatitjen dhe miratimin e teksteve shkolloe janë në rrjedhë e sipër. Lista e teksteve të miratuara do të plotësohet vazhdimisht dhe siç paralajmëruan nga MASH, procedura për shtypje do të rrumbullakosen në faza derisa të përfundojë i gjithë procesi për të gjitha tekstet shkollore./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button