Nagelsman: Nuk mbrohemi dhe do të sulmojmë yjet nga Parisi

Sonte do mund të shijojmë dy supersfida me plot emocione dhe spektakël në Ligën e Kampionëve. Bajern Munihu do të gjejë sot në shtëpi PSZH-në, me francezët që kërkojnë përmbysjen e rezultatit dhe kualifikimin për në çerekfinale. Bavarezët e fituan ndeshjen e parë me rezultatin minimal 1-0 në Paris dhe sot do të përpiqen të arrijnë kualifikimin.

Gjermanët duhet të tregojnë kujdes nga francezët, pasi Mbape dhe Messi janë të etur për të fituar një Ligë të Kampionëve me këtë fanellë dhe do të bëjnë gjithçka për të thyer mbrojtjen e kundërshtarit. Bajerni ka tre mungesa të sigurta për sot, me Hernandez, Nojer dhe Pavard të cilët nuk do të jenë në dispozicion.

“Është thelbësore të mos fokusohemi vetëm në mbrojtje dhe të rrimë duarkryq dhe të mendojmë se sa të mëdhenj janë lojtarët e PSZH-së. Ne do të dërgojmë lojtarët tanë më të mirë në fushë, në pozicionet e tyre më të mira, në mënyrë që të jenë të rrezikshëm drejt portës kundërshtare. E kemi edhe Sadio Mane, por nuk ka gjasa që të jetë titullar. Jemi të lumtur sepse ai është rikthyer në formacionin tonë, por do të presim vendimin përfundimtar. Mund të sjellë freski edhe nga pankina. Edhe nëse nuk është titullar, Sadio është një lojtar që di të bëjë diferencën si zëvendësues”, tha mes tjerash trajneri i Bajernit Julian Nagelsman.

Sfida tjetër do të jetë gjithashtu shumë e bukur për t’u ndjekur, ku Milan do të fluturojë drejt Anglisë për t’u përballur me Tottenham. Ndeshjen e parë “kuqezinjtë” e fituan me rezultatin 1-0, por në stadiumin anglez pritet të jetë një atmosferë mbytëse për italianët.

Totenhami ka 5 mungesa për këtë sfidë, ku Bentankur, Bisouma, Dier, Lloris dhe Sesenjon nuk do të jenë në gjendje të ndihmojnë ekipin e tyre. Milan do të bëjë pa Ibrahimoviçin, i cili nuk është i grumbulluar, Kalabria dhe Florenzi të dëmtuar.

LEXO EDHE:

Back to top button