NATO e shqetësuar për situatën në Kosovë

NATO e shqetësuar për situatën në Kosovë

Tensionet në veri të Kosovës kanë tërhequr vëmendjen e sekretarit të përgjithshme të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka diskutuar për situatën si me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ashtu dhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar shefi i aleancës në Twitter.

Stoltenberg shtoi se NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilentë për situatën atje. Zyra e kryeministrit të Kosovës njoftoi se ai i kishte përcjellë kreut të NATO-s shqetësimin se “bojkoti i ditëve të fundit në fakt është i nxitur dhe i orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve”.

Ai e ka siguruar numrin një të aleancës më të madhe ushtarake të globit se Qeveria dhe institucionet e Kosovës “si gjithmonë do bashkëpunojnë, komunikojnë dhe bashkërenditen ngushtë me aleatët dhe partnerët e saj”.

Vuçiçi nga ana e tij, sqaroi me një postim në Instagram tha se në bisedën telefonike me Stoltenbergun i ka përcjellë atij bindjen se “Prishtina në mënyrë brutale po shkel Marrëveshjen e Brukselit përmes veprimeve të njëanshme”.

Sipas tij, Kosova e bëri këtë duke pezulluar nga puna drejtuesin e policisë për rajonin e veriut, duke zbatuar vendimin “e paligjshëm” për targat e makinave dhe duke refuzuar që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pasi tha të gjitha këto, në fund shtoi se pavarësisht të gjithave Serbia dëshiron ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe është e përkushtuar për këtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, dhe insistojnë të shmanget përshkallëzimi i tensioneve.

LEXO EDHE:

Back to top button