Ndalesa për lëvizje në pyje, shkakton polemika mes Drejtorisë së Pyjeve dhe Qytetit të Shkupit

Ndalesa për lëvizje në pyje, shkakton polemika mes Drejtorisë së Pyjeve dhe Qytetit të Shkupit

Gazetar: Mefial Ismaili

Ndalesa e qarkullimit të qytetarëve nëpër pyje dhe parqet e pyjeve kombëtare, ka shkaktuar paqartësi dhe përplasje mes pushtetit qendror dhe Qytetit Shkupit. Nga Drejtoria e Pyjeve Kombëtare thonë se vendimi i sjellë nga Ministria e Bujqësisë, vlen vetëm për pyjet që i menaxhon institucioni i tyre, ndërsa nga qyteti i Shkupit, thonë se janë të obliguar të respektojnë Ligjin për Pyje, derisa Drejtoria e Pyjeve Kombëtare nuk saktëson vendimin.

“Në kemi kërkuar ndalesë vetëm për territorin që mbulohen nga Pyjet Kombëtare. Që do të thotë se Parqet Kombëtare, si Parku Pyjor në Vodno dhe Parku Pyjor në Gazi Babë, nëse flasim për Shkupin, nuk janë pjesë e kërkesës tonë, sepse nuk kemi të drejtë Ligjore që ne të kërkojmë ndalesë për qarkullim në ata parqe”, u shpreh Valentin Gruevski, Drejtor i Pyjeve Kombëtare.

Nga qyteti i Shkupit, thonë se ndalesa për qarkullim në parqet pyjore të Shkupit do të vlejë derisa Drejtoria e Pyjeve Kombëtare nuk e sqaron vendimin.

“Për shkak të mos sqarimit të plotë të vendimit aktual për ndalesë për qarkullim në pyje, për të cilin sipas Ligjit për pyje ka të bëjë edhe për Parqet në pyje me të cilat menaxhon NP Parqet dhe Gjelbërimet, derisa nuk ka njoftim zyrtar nga organet dhe institucionet kompetente, qyteti i Shkupit do i respektojë dispozitat ligjore dhe do të veprojë sipas të njëjtave”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Me kërkesë të Drejtorisë së Pyjeve Kombëtare, Ministria e Bujqësisë solli vendim që prej sot nga ora 6 në mëngjes e deri në ora 20.00 qytetarëve i ndalohet të shëtisin nëpër pyje. Nëse shkelet ky vendim, atëherë qytetarët do të duhet të paguajnë gjoba nga 1500 deri në 2 000 euro. Institucionet përkatëse thonë se vendimi u soll pas vlerësimeve se në këtë periudhë, shkaktohet ndezje e shumtë e zjarreve më të vogla në pyje, ku për çdo vit shkaktohen 30 ose 40 zjarre në muaj. Me këtë vendim, në pyje mund të qarkullojnë vetëm ata persona që do të marrin leje me shkresë në njësitë e Drejtorisë së Pyjeve Kombëtare./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button