Ndalohet eksporti i misrit, miellit dhe vajit – Buka dhe vaji nga sot shiten me çmime furnizuese
Ndalohet eksporti i misrit, miellit dhe vajit – Buka dhe vaji nga sot shiten me çmime furnizuese
Gazetare: Andrea Cobanova
Nga sot ndalohet eksporti i grurit, misrit, miellit, elbit, vajit të lulediellit dhe lulediellit. Vendimi është marrë nga Qeveria dhe vlen për të gjithë prodhuesit vendor dhe për eksportet në të gjitha vendet, shkruan Alsat.
Kjo masë duhet të shmangë çrregullimin e tregut, pasi sipas ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, prodhuesit vendas kanë eksportuar sasi të mëdha të këtyre produkteve në ditët e fundit jashtë vendit.
“Tregtarët vendas të këtyre produkteve duhet së pari të kujdesen për tregun vendas, e jo sipas nevojës dhe pas marrjes së ofertave dhe çmimeve të caktuara nga jashtë, ta ridestinojnë prodhimin. Në 10 ditët e fundit janë eksportuar 416 tonë vaj luledielli, rreth 700 tonë misër dhe 166 tonë miell”, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Serbia fqinje për pothuajse të njëjtat produkte një ditë më parë vendosi ndalimin e eksportit, por sasitë e dakorduara do të dërgohen në Maqedoni.
“Ajo që ka paralajmëruar Vuçiq mbesin 50 mijë tonë grurë, dhe 25 mijë tonë misër, që janë të nevojshme deri në korrje-shirjet e ardhshme. Në momentin kur të gjitha qeveritë marrin vendime të caktuara për të qetësuar tregun dhe stabilitetin dhe sigurinë ndaj qytetarëve, ne presim se ajo çfarë do të realizohet”, u shpreh Trajan Dimkovski- Këshilltar Shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë.
Përveç ndalimit të eksporteve, sot hyjnë në fuqi masat e reja kundër krizës për të kufizuar më tej marzhet tregtare për ushqimet bazë, gjë që kufizon rritjen e çmimeve të produkteve. Gjithashtu nga sot në dyqane buka, mielli dhe vaji i gatimit duhet të shiten me çmim furnizues, gjë që do të sjellë uljen e çmimeve të këtyre produkteve./ Alsat.mk








