Nderime shtetërore për Mlladiqin, BE reagon ashpër – Sarajeva tërheq stafin nga Beogradi

Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, reaguan së bashku, duke i cilësuar si “tronditëse” pamjet nga Beogradi gjatë varrimit të kriminelit serb Ratko Mlladiqit, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje e Hercegovinë.

“Elementet e mbështetjes zyrtare, si dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrim, janë thellësisht dëshpëruese. Ato tregojnë dështimin për t’u përballur me kapitullin e errët të historisë së vonshme evropiane, dhe janë në kundërshtim me vlerat mbi të cilat bazohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, theksuan në një deklaratë të përbashkët liderët e institucioneve kryesore evropiane, tha Ursula von der Leyen dhe Antonio Kosta.

Gazetari gjerman i FAZ, Michael Martens ka thënë se në Bruksel janë shtuar zërat të cilat kërkojnë që të ndërpriten bisedimet për integrimin e Serbisë në BE dhe gjithashtu t’i ndërpriten të gjitha pagesat për Beogradin. Sipas tij, kjo do ta bënte Serbinë një Turqi të dytë, një vend kandidat vetëm me letra.

Ministri i Jashtëm i Bosnje e Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, njoftoi se pothuajse i gjithë personeli diplomatik i Ambasadës së Bosnjës në Serbi do të tërhiqet.

“Çështjet konsullore do t’i transferojmë në Zagreb, Podgoricë dhe Novi Pazar dhe vende të tjera sepse me këto regjime ne nuk do t’i përsërisim gabimet e njëjta. Përderisa nuk ndryshon, nuk ristartohet kjo sjellje, me Serbinë më nuk do të kemi takime bilaterale. Asnjë bisedim për bashkëpunim ekonomik më me Serbinë derisa jam unë këtu,” tha Ellmedin Konakoviq, Ministër i Jashtëm i Bosnje e Hercegovinës.

Reagoi edhe kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti duke e cilësuar kriminelin Mlladiq, sëpata në dorën kasapit të Ballkanit Millosheviq.

“Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë ‘Kasap i Ballkanit’ dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar. Nga varrimi i priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj 1991 e deri te varrimi i Ratko Mlladiqit në shtator 2026, Serbia organizon spektakle morbide për gjakderdhje të ardhshme. “Dje mohimi ishte fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”,shkroi Kurti.

Krimineli serb Ratko Mlladiq u varros dje në Beograd, me nderime ushtarake dhe shtetërore. Ceremonia e varrimit u shoqërua me të shtëna nderi dhe fjalime lamtumire, në të cilat u madhërua e kaluara e tij gjatë luftës. Ai vdiq më 27 gusht në Hagë, derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button