Ndërmjetësuesi i negociatave në DAP për pagat, u tërhoq

Ndërmjetësuesi i negociatave në DAP për pagat, u tërhoq

Gazetare: Andrea Cobanova

Do të kërkohet një ndërmjetësues i ri mes sindikatës dhe menaxhmentit të DAP-it. Ndërmjetësuesi i emëruar Lazar Jovevski kërkoi të përjashtohet nga ky proces. Ai thotë për Alsat se është dashur të caktojë një takim brenda tre ditëve, por meqë nuk ndodhet në këtë vend, nuk mund ta përmbushë afatin dhe për këtë arsye ka kërkuar nga Ministria e Punës, që ai të largohet nga procesi. Tani duhet të caktohet një ndërmjetësues i ri, i cili do të ketë tre ditë kohë për të caktuar një takim me sindikatat dhe drejtoreshën. Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, shpreson se do të gjendet një zgjidhje, dhe punonjësit nuk do të hyjnë në grevë të përgjithshme.

“Jam optimist se do të gjendet një zgjidhje, dhe nuk duhet të ndodhë masa e grevës së përgjithshme, sepse mendoj se ajo që meritojnë punonjësit e administratës së të hyrave publike, si dhe të gjithë punonjësit e tjerë në sektorin publik, është dinjiteti në vendet e punës ku punojnë dhe pagat që marrin,” deklaroi Fatmir Bytyqi – Zëvendëskryeministër i ngarkuar për çështjet ekonomike.

Sindikata për momentin nuk tërhiqet nga vendimi për grevë të përgjithshme, nëse nuk ka rritje të pagave për 30 për qind. Punonjësit për momentin po zhvillojnë një protestë dy orëshe çdo ditë, nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Revolta vjen pasi ministri i Financave vendosi të rrisë 30 për qind pagat e punonjësve vetëm në atë ministri në përputhje me ndryshimet në ligjin për buxhetet, por jo edhe për punonjësit në institucionet e tjera që janë nën ombrellën e tij. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button