Ndërsa në të gjithë vendin vazhdojnë vatrat aktive të zjarrit, në dispozicion janë vetëm 2 Air-Traktorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim
Ndërsa në të gjithë vendin vazhdojnë vatrat aktive të zjarrit, në dispozicion janë vetëm 2 Air-Traktorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim
Gazetare: Ajnur Bafqari
Në kohën kur dhjetëra vatra zjarri janë aktive çdo ditë, njëri nga 3 airtraktorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, vazhdon të mbetet në servisim. Pritet të kthehet në vend në fillim të muajit gusht, ndërsa vonesat, autoritetet i arsyetojnë me defekte të zbuluara në mënyrë shtesë. Stojançe Angellov, tha se për luftën me flakët nga qielli në dispozicion mbeten 2 airtraktorët e tjerë të kësaj drejtorie, 2 helikopterë të policisë dhe 2 të armatës. Angellov tha se makinat e posaçme me të cilat zjarret luftohen nga toka, po kryejnë punën e tyre, por theksoi se mbetet e hapur edhe mundësia e aktivizimit të mekanizmit për ndihmë ndërkombëtare, në rast të përkeqësimit të gjendjes.
“Pas kalimit të disa orëve në fluturim, për shembull 20 orë, 100 orë, për ta nevojiten servisime, që pamundësojnë që ato të fluturojnë për një ditë, e ndonjëherë edhe më shumë ditë. Në rast të zhvillimit negativ apo përkeqësimit drastik të gjendjes, në dispozicion është mekanizmi i BE-së dhe në çdo moment mund të kërkojmë ndihmë ndërkombëtare. Më duhet të them se i gjithë rajoni është në zjarr. Nga kontaktet e mia bilaterale me vendet fqinje, mund të them se të gjithë avionët e vendeve të rajonit janë të zënë me shuarjen e zjarreve në shtetet e tyre, kështu që varianti i kërkimit të ndihmës ndërkombëtare për fluturake, nuk është opsioni më i sigurt”, deklaroi Stojançe Angellov, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Ndërkohë situata me zjarret vazhdon të mbetet alarmante. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 40 zjarre, prej të cilave 5 janë akoma aktive, 2 janë vendosur nën kontroll ndërsa 33 janë shuar. Akoma mbetet kritik zjarri që shtrihet në 3 komuna, Vasilevë, Radovish dhe Berovë.
“Vazhdon të mbetet aktiv zjarri në komunën e Vasilevës, që në dy ditët e fundit është zgjeruar në territorin e komunës Radovish dhe Berovë… Në këtë zjarr nga mëngjesi janë përfshirë dy airtraktorët e Drejtorisë për Mbrojtje e Shpëtim, 7 makina të specializuara, 40 pjesëtarë të armatës të angazhuar në komunën e Berovës, dhe 20 pjesëtarë të angazhuar në komunën e Radovishit. Në territorin e Makedonski Brodit ka 2 zjarre aktive për momentin. Në komunën e Prilepit akoma është aktiv zjarri në fshatin Beshishte…. Poashtu aktiv është edhe zjarri në komunën e Zhelinës”, tha Nadica Vëçkova, Shtabi Qendror për Menaxhim me krizat.
Nga shtabi i krizës thonë se situata me zjarret po ndiqet vazhdimisht, ndërsa një avion i Aviacionit Civil çdo mëngjes fluturon nëpër të gjithë territorin e shtetit për të monitoruar për zjarre të reja, apo situatën e zjarreve aktuale dhe zhvillimin e tyre. /Alsat.mk







