Ndeshja në Strumicë, Alsat siguron raportin e delegatit: Tifozët me vetëiniciativë u larguan nga tribuna
Ndeshja në Strumicë, Alsat siguron raportin e delegatit: Tifozët me vetëiniciativë u larguan nga tribuna
Gazetar: Mahir Thaçi
Raporti i delegatit të ndeshjes Brera-Shkëndija, hedh poshtë pohimet e tifo grupit “Ballistët” që policia i ka larguar nga tribunat e stadiumit në Strumicë. Në raportin e siguruar nga ALSAT, delegati i kësaj sfide, Dragan Jovanov, thotë se tifozët kanë ardhur në organizim vetanak dhe ardhja e tyre nuk ishte paralajmëruar. Ai konformon vendosjen e flamurit por jo që tifozët janë larguar nga policia ose delegati i ndeshjes.
“Në minutën 13-të, të ndeshjes u nxorën dy flamuj, një flamur i tifozëve, i shkruar në gjuhën shqipe dhe flamuri tjetër, më i madh i shtetit tjetër, Republikës së Shqipërisë, që shkaktoi reagime tek publiku vendor. Komisarët e sigurisë të të dy klubeve dhe përgjegjës i MPB-së për ndeshjen, në minutën e 13 të ndeshjes, i lutën dhe paralajmëruan që të bëjnë tifo në mënyrë korrekte dhe të mbështesin ekipin e tyre, pa provokime drejtuar publikut vendor, me atë që të tërheqin flamurin e shtetit tjetër, Republikës së Shqipërisë nga gardhi i tribunës, ku ishte vendosur”, thuhet në raportin e delegatit të ndeshjes, Dragan Jovanov.
Në raport, delegati i FFM-së Jovanov ka shkruar se “Ballistët” më vetiniciativë janë larguar nga stadiumi dhe se nuk ka pasur asnjë provokim ose brohoritje nga ana e tyre gjatë largimit, ose përdorim të dhunës nga ana e policisë.
“Të njëjtit refuzuan propozimin e komisarëve të sigurisë dhe kompetentëve të MPB-së dhe në minutën e 25 të ndeshjes, me vetiniciativë, pa asnjë provokim dhe brohoritje nga ana e tyre dhe asnjë përdorim të dhunës nga ana e MPB-së, janë marrë vesh që ta braktisin pjesën e tribunës, respektivisht të lëshojnë ndeshjen. Grupi i tifozëve e lëshuan tribunën në minutën e 32-të, pa asnjë incident, ose një gjë të ngjashme” thuhet në raportin e delegatit të ndeshjes, Dragan Jordanov nga Velesi.
Për dallim nga raporti i delegatit, “Ballistët” në rrjetet sociale kanë shkruar se janë larguar pas marrjes së urdhrit që ta lëshojnë tribunën. Ndërkohë edhe në raportin e ndeshjes të KF Shkëndija thuhet se policia ka kërkuar largimin e “Ballistëve” nga stadiumi.
Kujtojmë se në ndeshjen Brera dhe Shkëndija kontrollor i FFM-së ka qenë Dellço Jakimovski nga Shkupi ndërsa që të tre referët ishin nga Kërçova, Aleksandar Grujoski, Kushtrim Lika dhe Davo Cvetanovski. /Alsat.mk