Ndihma financiare për punonjësit e arsimit në Kosovë

Në muajin shkurt dhe në muajin maj punonjësve të sektorit të arsimit nga niveli parashkollor deri tek universitetet në Kosovë do t’u ndahen shtesa financiare brenda mundësive buxhetore. Kjo marrëveshje u arrit midis kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, ministrit në detyrë të Arsimit, Ramë Likaj dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK).

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hoti tha se në ditët e ardhshme me Ministrinë e Financave do t’i shikojnë mundësitë buxhetore se sa do të jenë shtesat buxhetore për punonjësit e arsimit.

“Kemi dakordimin nga takimi i fundit që për shkak të orëve të shtuara të punës së arsimtarëve zbatimit të modaliteteve të ndryshme të arsimit (si shkak i pandemisë), arsimtarëve t’u paguhen dy shtesa në pagë, njëra në fund të shkurtit dhe tjetra në fund të majit në mënyrë lineare për të gjithë në përputhje me mundësitë buxhetore që i kemi”, theksoi ai.

Kryetari i SBASHKU-t, Rrahman Jasharaj tha se nga e hëna do të ketë një frymë të re në arsimin e Kosovës ndërsa vendimi nga ana e Qeverisë në detyrë ka thënë se i obligon në ngritjen e cilësisë në arsim.

“Kërkesa e SBASHK-ut nuk ka qenë për ngritje pagash por për një shtesë karshi pagës, për dy arsye, për shkak të shtimit të volumit për shkak të natyrës së re të punës dhe për shkak se arsimi u pa që është një nga sektorët më të prekur nga COVID-19. Pra, nuk kemi të bëjmë me ngritje pagash por me një shtesë për hir të këtyre dy komponentëve”, theksoi Jasharaj.

Gjithashtu në këtë konferencë u përmend se Qeveria në detyrë ka arritur pajtim edhe për kontratën kolektive në arsim e cila pritet të nënshkruhet sot ndërsa parasheh aspekte mbi themelimin e marrëdhënies së punës, avancimin, kriteret e punësimit, mënyrën e funksionimit, të drejtat e mësimdhënësve, saktësimin për kohën e punës e çështje të tjera që derivojnë nga ligji i punës, specifike për fushën e arsimit.

Po kështu, kontrata kolektive parasheh edhe pagë të 13-të për punonjësit e arsimit parauniversitar duke filluar nga viti 2023, pagesë të ushqimit (shujtës ditore) për mësimdhënës si dhe saktësim të shpenzimeve të transportit.

LEXO EDHE:

Back to top button