Ndihma financiare shtetërore, regjistrohen keqpërdorime

Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Inspektorati i Punës gjatë kontrollit të kompanive kanë zbuluar se kompani që kanë marrë ndihmë shtetërore nuk i kanë plotësuar kushtet për të marrë para nga arka e shtetit. Autoritetet thonë se gjatë kontrollit të dokumentacionit të 60 kompanive, te 16 prej tyre është konstatuar se nuk është ulur qarkullimi i tyre, që ishte kusht për marrjen e ndihmës shtetërore. Te shtatë kompani ka pasur ulje të numrit të punësuarve më shumë se sa lejohej. Në tre kompani të tjera, janë shkelur rregullat në të dyja bazat. Kompanitë kanë qenë nga sektori i hotelerisë dhe ndërtimtarisë, si dhe nga transporti tokësor dhe ujor, shitje me pakicë, agjenci turistike.

“Punëdhënësi i cili ka shfrytëzuar mbështetje financiare për pagimin e rrogave për muajt prill, maj dhe qershor, dhe punëdhënësi që ka shfrytëzuar mbështetje financiare për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor ka pasur për detyrë sipas dekretit dhe ligjit, plotësisht t’i kthejnë mjetet financiare bashkë me kamatën sipas Ligjit për Procedurë Tatimore, nëse pas kontrollit të kryer nga DAP vërtetohet se punëdhënësi nuk i ka përmbushur kushtet për mbështetje financiare”, pohoi Sanja Lukarevska, drejtoreshë e DAP.

Kontrollet janë bërë në dhjetor të vitit të kaluar, dhe në të njëjtin muaj inspektorati i punës ka vizituar dhjetë fabrika tekstili dhe ka kryer edhe 74 kontrolle të tjera nëpër kompani. Inspektorët kanë kontrolluar nëse është paguar rroga e punonjësve dhe nëse është respektuar shuma e përcaktuar me ligj për rrogën minimale.

“Parregullsi janë gjetur te 41 punëdhënës. Në përputhje me kompetencat ligjore të Inspektoratit Shtetëror të Punës, janë marrë 41 vendime për paralajmërim të punëdhënësve për t’i larguar parregullsitë e identifikuara”, tha Jovana Trençevska, Drejtore e Inspektoratit Shtetëror të Punës .

 

Vetëm një kompani që nuk i ka plotësuar kushtet, por ka marrë para nga shteti, i ka kthyer ato përsëri në arkë. Nga Prokuroria ende nuk ka detaje deri ku është procedura për më shumë se 250 kompani që morën ndihmë shtetërore për pagesën e rrogave të punëtorëve, por nuk i paguan dhe paratë i mbajtën për vete.

Ile Petrevski

LEXO EDHE:

Back to top button