Vaksinat kineze do mbërrijnë në Maqedoni me 16 shkurt?

Plani operativ i vaksinimit do të nis të zbatohet që nga java e ardhshme në të gjitha poliklinikat e Shkupit dhe në pikat e vaksinimit të qyteteve tjera. Burimet e Alsat thonë që 200 mijë vaksinat kineze do të arrijnë më 16 shkurt në vend, pas çka shpërndarja e tyre do të bëhet në frigoriferë të posaçëm.

“Deri më tani janë paraqitur 4 mijë punonjës shëndetësor, prej të cilëve rreth 2 mijë janë në Shkup, pjesa e mbetur janë nëpër qytetet tjera”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Filipçe tha se sipas planit 2,500 qytetarë mund të vaksinohen në ditë, prej tyre nga 880 nëpër 7 poliklinikat e kryeqytetit dhe afër 500 të tjera në pikat e Qendrës Klinike.

Poliklinika e Çairit, Bukureshtit dhe Jane Sandanskit do të punojnë me dy turne, dhe të shtunave. I pyetur nëse qytetarët do të kenë mundësi që bëjnë zgjedhje se cilën vaksinë do ta marrin, kineze ruse apo amerikane, Filipçe tha se tani për tani kjo është e pamundur të vendoset.

Pacientët në moshën mbi 70 vjeç me komorbiditete dhe më të rinjtë, të cilët vullnetarisht duan të marrin vaksina, mund të regjistrohen përmes një platforme elektronike. Ky proces do të realizohet përmes mjekëve dhe platformës “Termini im”.

“Ueb faqja pritet të vihet në funksion që nesër dhe kjo nënkupton se secili mund të paraqitet, sistemi do ti gjeneroj sipas prioriteteve që nënkupton se do ti pranoj të dhënat edhe më të rinjve, të cilët nuk kanë sëmundje kronike por shprehin vullnetin të vaksinohen dhe kur të vijë rendi për marrjen e vaksinës do t’ju arrij njoftimi. Do të thotë dëshira shprehet një herë përmes regjistrimit në sajt”, theksoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Kreu i Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit Viktor Isijanovski tha se do përpiqen të shkurtojnë kohën e terminëve për të dyfishuar vaksinimin, në mënyrë që 200 mijë vaksinat të jepen brenda një muaji.

“Në katër poliklinikat tjera do të punojnë në orët e pasdites, me bokse të posaçme siç tha Ministri, me kapacitetet që posedojmë mendoj se 22 pikat janë të mjaftueshme në këtë moment për të përballur fluksin dhe për të dëshmuar se Shtëpitë e shëndetit, mendoj se pas një periudhe ekipet të adaptohen me ritmin e vaksinimit dhe terminet prej 10 minutash ti shkurtojmë në çdo 5 minuta për një pacientë për të ecur më shpejtë procesi”, pohoi Viktor Isijanovski, drejtor i Shtëpisë së Shëndeti në Shkup

Ndërkaq, asnjë sinjal pozitiv nuk ka nga vaksinat Pfizer. Kreu i shëndetësisë tha se janë në pritje si për furnizimet direkte me kompaninë farmaceutike amerikane, ashtu edhe për blerjen e 8 mijë dozave përmes Serbisë. Ndërkaq, me platformën Covax dje nënshkroi marrëveshje edhe kompania tjetër Astra&Zeneca, doza të cilat në mesin e 833 mijë të porositurave mund të përfundojnë edhe në vendin tonë.

 

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button