Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit mbetet pezull

Nisma për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, që përfshin mundësi pune “online” për deputetët që janë në izolim, për momentin mbetet pezull. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi nuk ka hequr dorë prej saj por, sipas tij, situata deri tani është menaxhuar mirë meqë opozita ka krijuar kuorumin e nevojshëm për seancat. Këtë kryeparlamentari Xhaferi e deklaroi në takimin joformal me gazetarët.

Nuk heqim dorë nga nisma por unë nuk dua të futem në trajtimin e amendamenteve. Unë nuk e shty procesin me forcë dhe nuk insistoj që nisma të miratohet me çdo kusht. Ideja ishte te funksionaliteti i Kuvendit. Por, kemi arritur t’i menaxhojmë situatat me mungesën e deputetëve. Falënderoj opozitën për mirëkuptimin dhe seriozitetin për kuorum. Falë disiplinës, Kuvendi menaxhoi mirë situatën”-tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Opozita shqiptare, periudhën e kaluar të kësaj përbërje parlamentare e sheh me sy shumë kritik.

Për fat të keq, Kuvendi më shumë ishte në shërbim të interesave të grupeve të caktuara në kuadër të Qeverisë se sa interesave të deputetëve dhe qytetarëve pasi që të gjitha ligjet që u përmblodhën nga ana e Qeverisë në mënyrë të përshpejtuar dhe me keqpërdorimin e flamurit evropian arritën në Kuvend me çka u mbingarkua puna e Kuvendit dhe ishte e pamundur të realizohet deri në fund. Konsiderojmë se në vitin 2021 duhet të jetë e kundërta”-pohoi Skender Rexhepi, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa .

Sipas pushtetit, pavarësisht pengimit nga ana e opozitës të ndryshimit të Rregullores dhe punës “online”, gjatë kësaj periudhe janë miratuar ligje të rëndësishme.

Gjithsesi duhet të jemi të kënaqur sepse në kushte të jashtëzakonshme në aspektin e funksionimit, pandemisë, ju e dini se me çfarë jemi përballur, shtoja kësaj edhe faktin se opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE e shfrytëzoi secilën mundësi për bllokim, përfshirë edhe bllokimin për ndryshimin e Rregullores për të punuar Kuvendi në mënyrë më efikase sipas shembullit të 90% vendeve të Evropës të cilat prej kohësh u përshtatën me realitetin dhe bënë sistem funksionimi edhe nga distanca”-theksoi Snezhana Kaleska Vançeva, LSDM .

Zyrtarisht, në këtë periudhë, nuk ka asnjë deputet të infektuar me virus korona ose me vendim për izolim. Puna e Kuvendit dhe trupave të tij punues është intensifikuar gjatë javëve të fundit.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button