Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit, të enjten në rend dite

Pushteti është i gatshëm të votojë ndryshimin e Rregullores edhe pa prezencën dhe mbështetjen e opozitës. Beson se deri të enjten, deputetët e shumicës që kanë pasur vendim për izolim ose kanë qenë të infektuar do të kthehen në Kuvend, sepse tashmë ndihen mirë.

Nëse kthehemi të shohim atë që ka ndodhur në të kaluarën, edhe në 2008-tën edhe në 2013-tën kur është ndryshuar Kushtetuta, posaçërisht në 2013-tën e dini se Rregullorja është ndryshuar kur opozita ka qenë jashtë Kuvendit. Unë në periudhën e kaluar gjatë gjithë kohës kam bërë thirrje që të arrijmë konsensus sepse bëhet fjalë për ndryshim të Rregullores ashtu siç e bëjnë të gjithë vendet demokratike”-tha Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja nuk tregon nëse do të marrë ose jo pjesë në seancën ku do të diskutohen ndryshimet në Rregullore. Nuk mbështet ndryshimin e Rregullores pa konsensus.

Ne shikojmë përpjekjen që diçka të bëhet jashtë marrëveshjes konsensuale. Reagimet e grupeve parlamentare të opozitës i shihni. Arsyeja e vetme është se numri prej 62 deputetësh nuk është I mjaftueshëm për funksionimin e Kuvendit edhe në kushte normale dhe jo më në një situatë të këtillë”-pohoi Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Nëse votohen ndryshimet, partia e Mickoskit do t’i kontestojë në Gjykatën Kushtetuese.

Sigurisht. Nuk do të ishte gjë e mençur që diçka që është në kundërshtim me Kushtetutën ta lejojmë të kalojë ashtu”-tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Ndërkaq jozyrtarisht, nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa mësojmë se do të marrin pjesë në seancë por janë në përgatitje të shumë amendamenteve. Qëllimi, sipas tyre, është që të pengohet miratimi i ndryshimeve.

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi propozoi ndryshimin e Rregullores së Kuvendit për t’u mundësuar votim “online” deputetëve që kanë vendim për izolim. Deri tani nuk dihet nëse për këtë do të nevojiten furnizime publike, sa do të kushtojë dhe sa do të zgjasë procedura e zbatimit, në rast se ndryshimet miratohen.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button