Ndryshojnë çmimet e derivateve – benzina bie, dizeli rritet
Gazetar: Angel Dimovski
Shoferët e automjeteve në Maqedoni nga sonte do të furnizohen me naftë më të shtrenjtë. Komisioni Rregullator i Energjetikës ka miratuar vendim me të cilin çmimi i naftës rritet për një denar e gjysmë, ndërsa çmimet e benzinave ulen për dy denarë. Nga mesnata do të zbatohen këto çmime: Eurosuper BS-95 do të kushtojë 86,00 denarë për litër; Eurosuper BS-98 do të kushtojë 88,00 denarë për litër; Nafta do të kushtojë 87,00 denarë për litër kurse vaji ekstra i lehtë për amvisëri do të kushtojë 89,00 denarë për litër.
| Karburanti | Ndryshimi | Çmimi i ri |
| EUROSUPER BS-95 | Ulet për 2,0 den/l | 86,00 den/l |
| EUROSUPER BS-98 | Ulet për 2,0 den/l | 88,00 den/l |
| EURODIZEL (D-E-V) | Rritet për 1,50 den/l | 87,00 den/l |
| Vaji ekstra i lehtë për amvisëri (El-1) | Rritet për 1,50 den/l | 89,00 den/l |
| Mazuti М-1 НС | Ulet për 0,609 den/kg | 47,297 den/kg |
Këto janë çmimet maksimale me pakicë. Ndërkohë, OKTA ka vendosur ulje prej 2 denarë për litër për benzinat në të gjitha pikat e karburantit që furnizohen me derivate nga kjo kompani, ndërsa vetë pikat e karburantit mund ta reflektojnë këtë zbritje te konsumatorët. Për momentin mbetet në fuqi masa për uljen e akcizave me 2 denarë për benzinën dhe naftën, e cila rregullohet me ligj në varësi të rritjes së çmimit në bursë.
Indekset europiane të bursave sot kryesisht shënojnë rënie, ndërsa çmimi i naftës është rritur ndjeshëm për shkak të tensioneve të reja ndërmjet Iranit dhe Izraelit. Investitorët druajnë se një përshkallëzim i mundshëm i konfliktit mund të destabilizojë më tej situatën në Lindjen e Mesme dhe të shkaktojë tronditje të reja në tregjet energjetike.
Sipas të dhënave të bursës, çmimi i naftës së papërpunuar amerikane WTI është rritur për 4 për qind dhe ka arritur në 94,20 dollarë për fuçi. Në të njëjtën kohë, çmimi i naftës Brent është rritur për 4,37 për qind, duke arritur në 97,13 dollarë për fuçi. /Alsat.mk









