“Në 2001 me tanke, në 2026 me avionë”, BDI: Gjuha e Stojançe Angellovit, e rrezikshme

Gazetar: Suad Bajrami

BDI-së iu deshëm pesë ditë që të reagojë kundër fjalorit të drejtorit për Mbrojtje dhe Shpëtim Stojançe Angellov i cili gjatë një vizite të tij në Nikushtak të Kumanovës, publikoi një video incizim me mbishkrimin “Në vitin 2001 e sulmuam me tanke sot e mbrojmë me avionë”.

“Kjo është gjuhë që nxit urrejtje dhe ndarje, por mbi të gjitha flet shumë për mendësinë e Stojançe Angellovit dhe të gjithë “Stojançeve” të tjerë që, edhe një çerek shekulli më vonë, vazhdojnë ta shohin Marrëveshjen Paqësore të Ohrit jo si themelin e paqes dhe të bashkëjetesës, por si kërcënim… Ajo që duhet të shuhet njëherë e përgjithmonë nuk është vetëm zjarri në male, por edhe gjuha e urrejtjes dhe mendësia që ende i ndan qytetarët në “ne” dhe “ata”.

Angellovi, mbishkrimin për Nikushtakun e ka vendosur ndaj një video ku një banor shqiptar i zonës e falënderon për intervenimin, derisa Angellov ndodhet në terren.

“Imer si jeni të kënaqur nga puna e avionëve? Ne jemi të kënaqur edhe nga avionët edhe nga ju zotëri Stojançe. Shumë me cilësi e punoni këtë punë, e kryeni detyrën siç duhet”.

Ndaj gjuhës së Angellovit kanë reaguar edhe qytetarët. Nëse shihen komentet në faqen e Angellovit, pjesa më e madhe e maqedonasve i replikojnë duke ia tërhequr vërejtjen se në vitin 2001 forcat shtetërore nuk e ka sulmuar Nikushtakun, por e ka mbrojtur vendin nga terroristët. Por nga ana tjetër, shqiptarët thonë se Nikushtaku është i populluar me shqiptarë dhe s’ka pasur shteti pse ta mbrojë nga shqiptarët.

Përndryshe Angellov ka qenë pjesë e forcave të sigurisë së Maqedonisë gjatë konfliktit të vitit 2001, i cili është plagosur në betejën e Haraçinës. Me partinë e tij “Dinjiteti”, Angellog ndër vite angazhohet për të drejtat e “Branitellave”. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button