Konjufca: Emrat për president janë gati, presim marrëveshjen me LDK-në

Numri dy i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Vetëvendosje, i ka emrat për presidentin, por refuzoi që t’i tregonte për mediat, duke argumentuar se do të humbiste kuptimi i procesit të negocimit me LDK-në. Konjufca tha se gjasat janë që takimi i radhës mes kreut të LVV-së Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Abdixhiku, të rezultojë me marrëveshje për presidentin.

“Emrat i kemi, por nuk mund t’i ndaj me ju, pasi kjo do ta humbte procesin e negocimit. Edhe LDK-ja besoj se së shpejti do të jetë gati, pasi javën e kaluar kryetari Abdixhiku tha se kjo javë do të jetë ajo që ata do të takohen,” deklaroi Glauk Konjufca, Zv.Kryeministër.

LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për profilin e presidentit të ardhshëm dhe kanë thënë se synojnë që në takimin e radhës të dalin me emra konkretë.

Konjufca është shprehur optimist se një takim mes dy liderëve mund ta afrojë arritjen e një marrëveshjeje për presidentin. Ai ka vlerësuar se ekziston mundësia për një marrëveshje, duke theksuar se negociatat pritet të zhvillohen përmes propozimit të emrave konkretë.

“Konsideroj se ekziston një probabilitet që të kemi një marrëveshje për presidentin. Kurdo që të takohen Kurti me Abdixhikun, kjo do të jetë forma e diskutimit dhe negocimit. Do të takohen përmes propozimit të emrave konkretë dhe prej atyre emrave konkretë besoj se njëri prej tyre do të jetë presidenti apo presidentja e ardhshme e Kosovës. Mua më vjen keq pasur nevojë për një kohë shtesë,” tha Glauk Konjufca, Zv.Kryeministër.

Edhe nga LDK-ja një ditë më parë kanë thënë se së shpejti do të dalin me emra konkretë për presidentin. Deri më tani, në media kanë qarkulluar disa emra për postin e presidentit. Emri i profesorit Ibrahim Berisha dhe i ish-nënkryetarit të Kuvendit Ilaz Ramaji, u përmendën, por që të dy mohuan përfshirjen në proces. Ndërkaq, Ramush Haradinaj, ka propozuar emrin e Hashim Thaçit për president. Ish-ambasadori i OSBE-së William Walker, ka propozuar për president Faton Bislimin, nga radhët e LDK-së. LVV-ja kërkon një president konsensual, ndërkaq LDK-ja po ashtu kërkon që kreu i ri i shtetit të mos jetë i lidhur me ndonjë parti politike. Partia e Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e fundit dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh. Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në për çështjen e presidentit, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button